Në studion e emisionit “Me Zemër të Hapur” në News24 të gazetares Evis Ahmeti, u trajtua historia e Dianës dhe thirrja e saj për ndihmë për të marrë dy fëmijët, të cilët sipas saj mbahen me forcë nga familja e ish-bashkëshortit.

Diana rrëfeu problemet me bashkëshortin deri tek ndarja pa divorc e të dyve. Ajo tha se fëmijët shkuan tek gjyshërit nga i ati, pasi babai i tyre iu tha se gjyshi ishte sëmurë dhe që atëherë nuk i kanë lënë më ta takojnë.

Ajo akuzoi ish-bashkëshortin për dhunë ndaj saj dhe fëmijëve.

“Para 10 muajsh vajza vendosi që të shkonte te gjyshërit nga babai dhe me mirëkuptim ne i lamë të shkonin, por nuk kam pasur besimin tek ata sepse vetëm kur unë shkova te shtëpia e tyre pas lindjes më kishin dhënë pamje që nuk mund t’i besoja. Por kur u njohëm me ish-bashkëshortin ne vendosëm të jetonim në qytetin e Vlorës, aty qëndruam 6 vite. Mirëpo gjërat nuk shkuan siç duhej sepse edhe pasi erdhën në jetë të dy fëmijët ai i ka dhunuar duke iu shprehur kërcënime dhe mërzitje nga puna ku punonte edhe pse vinte me shumë vonesë.
Por me shpresën se do ndryshonte sepse ne studiuam të njëjtën shkollë së bashku dhe pas mbarimit të shkollës filloi të punonte në një bankë. Pastaj kur erdhëm në Tiranë, ai sërish aty ku punonte pati probleme madhore të cilat të çonin në shkelje të ligjit. E kisha paralajmëruar disa herë për këto që bënte, por nuk e merrte parasysh asgjë. Vazhduam jetën në Tiranë mes shumë peripecive dhe ai vazhdonte gabimet vazhdimisht. Fëmijët u manipuluan nga babai dhe shkuan për të qëndruar disa ditë aty pasi ish-vjehrri u shfaq sikur ishte shumë i sëmurë. Dhe ish-bashkëshorti më kërkoi që fëmijët të shkonin aty dhe të qëndronin pak kohë, por nga ajo ditë fëmijët nuk janë kthyer më tek mua. Ne gjatë kësaj kohe ishim ndarë fizikisht dhe përsëri kishim krijuar një urë komunikimi, pasi ky ishte larguar jashtë. Nuk e kam zbuluar kurrë se ish-vjehrri ka qenë i sëmurë, ishte manipulim për të marrë fëmijët. Mirëpo kur djali kërkoi të kthehej te mua ata nuk e lejuan, unë i kërkova ish-burrit që ta zgjidhte këtë situatë aty mu pohua që fëmijët nuk do kthehen sepse pretenduan se unë dhe bashkëjetuesi im sot që po pres edhe një fëmijë kishim bërë veprime të turpshme në syrin e tyre. Por bashkëjetuesi im kishte marrëdhënie shumë të mirë me dy fëmijët. Unë nuk mohoj faktin që në çdo familje ka ulje dhe ngritje ekonomike dhe ndodh që njeriu ndodhet ngushtë për të shlyer detyrimet për banesën, mirëpo ky është një pretekst i ndodhur për të thënë që problematikat kanë nisur me këtë çështje”, tha Diana.

Ajo deklaroi më tej se ishte përpjekur që ndarja të mos ndikonte tek fëmijët duke mbajtur një marrëdhënie normale me ish-bashkëshortin.
“Unë kam dashur që ne të dy edhe pse ishim ndarë për hatër të fëmijëve që të mos ndjenin boshllëkun e dy prindërve. Po të nisemi nga një person i cili është i aftë të manipulojë gjithçka, ai do nxjerrë gjëra të paqarta. Madje arrin deri aty që ne nuk jemi të divorcuar, por kjo vërtetohet në dokumente. Ai ka hedhur shumë akuza të forta dhe ndaj meje dhe nënës time, por ky konflikt ka ardhur për shkak të tij. Vajza gjithçka thotë ka mësuar nga i ati, edhe kur ai ka debatuar me mua ka përdorur fjalë dhe veprime që tentonte të bënte vetëvrasje. Kjo ka ndodhur para se të largohej ai vet nga jeta jonë. Nuk kam pasur dhunë nga bashkëjetuesi i tanishëm as dhunë psikologjike. Por vet i ati ka ushtruar dhunë ndaj fëmijëve edhe pse ai e mohon. Ai nëse do ishte i vërtetë dhe i saktë le të dilte të përballej me ne të dy. Ai ka pasur një lidhje paralele sepse fakti që ai nuk kthehej në shtëpi deri në mëngjes dhe ushtronte dhunë ndaj fëmijëve”, tha gruaja.

Ndërkohë edhe bashkëjetuesi Dianës mohoi të ketë ushtruar dhunë mbi fëmijët e saj.
“Nuk është e vërtetë që unë kam ushtruar dhunë ndaj fëmijëve të Dianës, unë e kam trajtuar familjen e Dianës dhe fëmijët shumë mirë edhe pse familja ime nuk ka qenë dhe nuk është dakord. Unë nuk e njoh fare bashkëshortin, por e njoh nëpërmjet Dianës”, tha ai.

Në emision erdhi dhe dëshmia e ish-bashkëshortit të Dianës, i akuzuar se mban fëmijët peng.
“Nuk dua që t’i them asgjë Dianës pasi është në muajin e fundit të shtatzënisë. Por di të them që deklaroj publikisht që për femrën që Diana më akuzon, marr përgjegjësi që vihem në dispozicion që të bëjë testin e ADN. E kam mbështetur financiarisht Dianën dhe fëmijët, edhe pse ajo i shpenzonte për arsye që i di ajo. Fëmijët me konsensus i kemi çuar te prindërit e mi, por fëmijët u ndien mirë aty dhe nuk pranuan kurrë të ktheheshin më te nëna. Në mars të 2020 në orën 11 të natës bashkëjetuesi i saj dhunon vet Dianën dhe fëmijët, kryesisht vajza e cila shkon në një cep të dhomës dhe mbulohet me batanije”, deklaroi ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: