Kryetari i ri i Bashkisë së Kavajës, Redjan Krali, ka shkuar sot në zyrën e tij në bashki, në ditën e parë të punës.

Ai është paraqitur në zyrë rreth orës 07:45, ndërsa ambientet e bashkisë vijojnë të ruhen nga policia. Ndërkohë, në bashki janë paraqitur edhe disa punonjës, por numri i tyre ka qenë i vogël, si kundërshti për mënyrën e zgjedhjes dhe marrjes së detyrës nga kryebashkiaku Krali.

Që prej orës 16:10 të ditës së djeshme, godina e Bashkisë Kavajë vazhdon të ruhet nga efektivë të policisë, të cilët kanë qëndruar gjatë gjithë natës dhe vazhdojnë të jenë aty.

Gjatë ditës së sotme, ish-kryetari i kësaj bashkike, Isa Sakja, nuk ka zhvilluar asnjë tentativë për t’u futur në zyrë, ndërsa e djathta vazhdon të kundërshtojë zgjedhjet e 30 qershorit.

Gjatë ditës së djeshme u konstituua Këshilli Bashkiak i Kavajës, si dhe u betua kryebashkiaku i ri, ndërsa i gjithë procesi u shoqërua me protesta nga opozita, e cila i cilëson të padrejta zgjedhjet pa garë të 30 qershorit, në të cilat mori pjesë një numër i vogël i shqiptarëve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb