Në “Stamford Bridge” tifozët shijuan një ndeshje fantastike, Chelsea-Man.United dhuruan një 90-minutësh të luftuar për çdo top, me raste për shënim, ndërsa fundi i sfidës rezultoi drithërues. Çuditërisht pjesa e parë përfundoi në barazim pa gola, kjo dhe për meritë të dy portierëve, mbi të gjitha Kepa i Chelsea që ndali në dy raste flagrante Rashford, ndërsa Eriksen dhe Antony iu afruan gjithashtu golit të avantazhit.

Potter hodhi në fushën e lojës Armando Brojën në minutën e 79-të dhe ishte pikërisht sulmuesi kuqezi që fitoi një 11-metërsh 10 minuta më pas. Nga pika e bardhë e penalltisë, Jorginho u tregua i saktë duke kaluar Chelsea në avantazh. Në limitet e ndeshjes, në minutën e 94-ët, Casemiro me kokë barazoi shifrat në 1-1.

Rikthehet shpejt te fitorja Man.City me “qytetarët” që mposhtën Brighton me rezultatin 3-1. Erling Haaland ishte njeriu i ndeshjes me sulmuesin norvegjez që realizoi një “dopjetë” golash brenda pjesës së parë. Brighton ngushtoi shifrat në 2-1 me fillimin e pjesës së dytë, por vetëm kaq, pasi De Bruyne në minutën e 75-të sigloi shifrat përfundimtare në 3-1.

Vijon sezonin me ulje ngritje të mëdha Liverpool, me të kuqtë që bien menjëherë pas fitores kundër Man.City. Ekipi i Jurgen Klopp u mposht në transfertë përballë Nottingham Forest me rezultatin minimal 1-0.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb