ANGLI

Vetëm 3 ditë kanë mjaftuar që Chelsea të marrë hakun ndaj Leicesterit për humbjen e finales së FA Cup.

Londinezët kanë fituar një sfidë e cila mund të shpëtojë sezonin për shkak se janë 3 pikë larg sigurimit të zonës Champions.

Në ‘Stamford Bridge’ Chelsea fitoi 2-1 ndaj Leicesterit në një përballje direkte për objektivat e dy skuadrave. Në pjesën e parë dukej një sfidë e ‘mallkuar’ për Chelsean pasi sulmuesit Timo Werner iu anuluan dy gola nga VAR teksa kishte pretendime dhe për një penallti.

Me të filluar pjesa e dytë fatet e lojës i mori në dorë një mbrojtës si Rudiger i cili pas një krosimi nga këndi shtyu topin drejt portës së boshatisur.

Më pas Werner pengohet në zonë dhe kësaj radhë VAR i jep të drejtë, penallti për Chelsea-n, dhe Jorginho me finesë çon topin me lehtësi në rrjetë.

Një gafë në mbrojtje e bluve do të rihapte sfidën pasi Iheanacho i gjetur ballë për ballë portierit Mendy ngushton diferencat. Minutat e fundit do të ishin mjaft të tensionuara teksa nuk mungoi as sherri mes futbollistëve.

Në fund Chelsea merr fitoren dhe udhëton në javën e fundit drejt Aston Villës për fitoren e fundit të sezonit. Nga ana tjetër Liverpool tashmë ka të gjitha mundësitë të kapë zonën Champions në rast se fiton dy ndeshjet e radhës. Leicester momentalisht ndodhet në vendin e katërt, por në atë pozitë mund ta mbajë ende vetëm nëse gabojnë Liverpool me Chelsea-n.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb