TIRANË

Kryedemokrati Lulzim Basha i cilësoi mashtrime premtimet e kryeministrit Edi Rama për rritje pagash dhe heqjen e akcizës dhe taksave të karburantit për fermerët. Ai tha se këto premtime tregojnë panikun total që e bën të premtojë se gomari fluturon por se shqiptarët nuk e besojnë.

“Besoj siç keni parë këto premtime të përsëritura prej 8 vitesh keni parë dhe përgjigjen që ka marrë. Këto janë premtime të bëra në 2013 që po i bën prapë në 2020. Gjithçka tjetër tregon vetëm një gjë, panikun total që e bën të premtojë se gomari fluturon. Shqiptarët nuk besojnë se gomari fluturon. Pyetja është çfarë masash ke marrë sot për shëndetësinë, çfarë ke bërë sot për premtimin që i ke dhënë mjekëve e infermierëve për bonus. Pyetja ku e ke paketën e tretë pa premtimet nuk i beson as familja e vet e jo më shqiptarët. Një njeri që ka thyer çdo premtim”, deklaroi Basha.

Sa i përket gjobës me faturën e dritave dhe një propozimi të mundshëm nga PD në rast të përkeqësimit të situatës, Basha tha se nëse zbatohet plani me 5 pika i propozuar nga opozita mbyllja mund të shmanget.

“Çdo propozim që i kemi bërë është të shmanget më e keqja. Dhe mbyllja e parë që u bë nuk kishte pse të ishte aq e rreptë. Gjithçka Edi Rama bën është të mos i çojë lekët tek shqiptarët, ta bëjë keq e më keq situatën dhe t’i gënjejë njerëzit me një karamele. Mbyllja mund të shmanget nëse zbatohet plani ynë me 5 pika. Ndaj do jem këtu ditë për ditë”, u shpreh ai.

Basha tha se të dhënat për situatën e COVID-19 në vend vijnë nga mjekët dhe se ata që e fshehin janë kryeministri Edi Rama dhe një grup i afërt rreth tij.
“Të dhënat që kam ndarë vijnë nga mjekët. Të vërtetën e fsheh Edi Rama dhe një grup rreth tij. Të dhënat vijnë nga COVID 1 dhe 2. Bëhet fjalë për një grup njerëzish të ngushtë të tij.
Situata është realisht dramatike dhe ajo që e bën më dramatike është se është lënë në rënie të lirë. Në rënie të lirë vjedhja dhe batërdisja”, tha kreu i PD.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb