Kryetari i Shoqatës së Eksportuesve Alban Zusi përmes një komunikimi të drejtpërdrejtë në studion e emisionit “Open” ka komentuar premtimin e qeverisë për rritjen e pagës mesatare në 900 euro në administratë.

Ai deklaroi se veprimi i marrë është i dobishëm në kontekstin e largimit të fuqisë punëtore nga vendi, por sipas tij do ketë impakt te bizneset në detyrimet e tyre fiskale ndaj shtetit.

Zusi shtoi se kjo do impaktojë zhvillimin e të vetë punësuarve si edhe të ndërmarrjeve që ndodhen në rrethe pasi nuk do kenë mundësi për të përballuar këto detyrime dhe paga.

Nga ana tjetër përfaqësuesi i industrisë fasone Florian Zekja ka deklaruar se pagat në sektorin e tij rriten nga tregu dhe ofertë-kërkesa që vjen nga konkurrenca ekonomike.

Ai shtoi se është skeptik mbi premtimin e kryeministrit pasi rritja e pagës mesatare është thuajse dyfishim i saj, gjë që do sjellë pasoja te biznesi privat i cili “nuk ka konkurrencë me shtetin” por me bizneset e tjera vendase dhe të huaja.

Pjesë nga biseda:

Zusi:

Është një veprim i dobishëm, por duke pasur parasysh kontekstin ku është marrë kjo iniciativë që bëhet për të frenuar largimin e njerëzve nga vendi, unë mendoj se të fokusohesh vetëm në dy nivele pagash nuk do ketë impakt përveç pagesës nga bizneset për shtetin në detyrime fiskale. Janë nevojat e zhvillimit për të rritur pagat. Kjo do impaktojë shumë të vete punësuarit dhe bizneset në rajonet e largëta, jashtë Tiranës. Do të impaktojë zhvillimin në vende si Erseka apo Puka që nuk janë njësoj me Tiranën. Këto janë zgjidhje pa asnjë lloj ekuacioni mbrapa. Këto ndërmarrje nuk do jenë të afta të paguajnë paga të tilla dhe në fund duhet bërë bilanci. Çfarë do fitojë biznesi nga gjithë kjo histori. T’i thuash biznesit rrit pagat pa benefite ndikon ndjeshëm aftësinë për t’u rritur. Mbas ca vitesh do na duhet të bëjmë politika për të ndihmuar bizneset që do jetë thuajse e pamundur.

Zekja:

Greqia para një jave rriti sërish pagën minimale me vendim qeverie. Në sektorin tonë duhet të kemi parasysh që pagat i rrit tregu dhe jo pronari. Në kohë pagat janë rritur me 10 deri 15 mijë lekë të reja dhe nuk ka ndikuar qeveria, ka ndikuar tregu dhe rënia e euros. Paratë që kemi marrë i kemi shpërndarë te punëtorët. Nuk e kemi kundërshtuar rritjen e pagës minimale sepse nuk e kemi pasur atë problem. Jam skeptik për atë që tha kryeministri sepse rritja e pagës mesatare është thuajse e dyfishtë. Rritja e pagave do sjellë pasoja te biznesi privat sepse ne nuk kemi konkurrencë me shtetin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb