Mauricio Sarri ka dhënë intervistën e tij të parë si bardhezi dhe këtë e ka bërë nëpërmjet kanalit zyrtar të Juventusit. Trajneri toskan, që u prezantua në Torino javën e shkuar, flet për atë që ka ndërmend të bëjë te Juventusi dhe atë se çfarë pret të marrë në këmbim. Vlerësime për ish-trajnerin Alegri, por edhe një premtim: Juventusi i tij do të dëfrejë në fushën e lojës.

NIVELI
“Çfarë kampionati do jetë? Në nivelin e trajnerëve të shkëlqyer. Është rikthyer Konte në një klub të rëndësishëm, Xhampaolo te Milani. Ançeloti te Napoli, dhe Fonseka te Roma, ai ka aftësi të mëdha. Sasuolo ka De Zerbin, me shumë talent. Nuk dua të harroj dikë, por besoj se këtë sezon do ketë një trend të ri, duke parë edhe shumë emra ndryshe në pankina”.

TE JUVJA
“Është një trashëgimi e vështirë, ky klub ka fituar shumë. Do jetë e vështirë të përsëris rezultatet e pesë viteve të fundit, qoftë edhe në statistika. Duhet të harroj përgjegjësitë, dhe të kënaqemi, të bëjmë qejf në fushë. Dhe, të rrisim vazhdimësinë e fitoreve”.

CHAMPIONS
“Duhet ta shohim tamam Europën. Juventusi është lulëzues në Itali, dhe të gjithë mendojnë se edhe në Europë është e njëjta gjë. Për fat të keq, nuk është. Në Europë, Juvja është një nga 10 klubet më të mëdha. Gjithsesi, në fund, qëllimi është i njëjtë, duhet të fitojmë”.

ROLI I TRAJNERIT
“Është më e lehtë që një lojtar i madh, të bëjë edhe një trajner të madh, se sa një trajner të bëjë një lojtar normal, ta bëjë të madh. Në këtë moshë, kupton se me eksperiencë mund të ndikosh deri në një pikë, më pas, gjithçka tjetër e bëjnë lojtarët”.

LOJA
“Do mundohemi të luajmë shumë topa, kjo është filozofia ime. Por, do doja të mbaja edhe disa karakteristika të skuadrës së Alegrit. Të dish si të rezistosh, kur je nën presion, është një kualitet i madh në lojë. Duhet të mbajmë 90% të gjërave pozitive që ishin në skuadër këtë sezon”.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: