Policia e Tiranës ka arrestuar tre persona, pasi premtonin viza e pasaporta shqiptare për shtetas të huaj, nga 1000 deri 1500 euro. Sipas policisë, të arrestuarit kanë gënjyer shtetasit e huaj, duke përfituar shuma parash në mënyrë të paligjshme.

Operacioni “VISA” është zhvilluar nga Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë zhvilluan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Visa”, si rezultat i të cilit bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve Diamanta Çakmak, 39 vjeçe, Emir Altug, 32 vjeç dhe Argent Disha, 36 vjeç, të tre banues në Tiranë.

Arrestimi i shtetasve të sipërpërmendur u bë pasi shtetasja Diamanta Çakmak (e dyshuar si organizatore), nëpërmjet kamuflimit me një aktivitet tjetër tregtar, në bashkëpunim me shtetasit e tjerë, u ka premtuar disa shtetasve të huaj pajisjen e tyre me dokumentacion si viza, leje qëndrimi dhe përfitimin e shtetësisë shqiptare kundrejt shumave të konsiderueshme që varionin nga 1000 deri 1500 euro.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një pasportë që i përket një shtetasi të huaj, një vizë e dyshuar e falsifikuar, dy aparate celular dhe dokumente të ndryshme në funksion të aktivitetit kriminal.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Falsifikimi i dokumentave”, “Falsifikimi i vulave stampave, formularëve ose vizave”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Shpërdorim detyre”, në ngarkim të 3 shtetasve të lartpërmendur.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb