Deputeti Armando Prenga, pasi fitoi tenderin nga Ministria e Bujqësisë për shfrytëzimin e Lagunës së Patokut, ka tentuar t’ia shesë licencën kundrejt 500 mijë eurove, peshkatarëve të familjes Cali, që deri në mars të 2015 e kishin ata në shfrytëzim.

Ky fakt u konfirmua nga Gjon Cali, administratori dhe përfaqësuesi i peshkatarëve që për 10 vite kishin licencën e shfrytëzimit të Lagunën së Patokut, të dhënë nga ish-ministri i Bujqësisë, Agron Duka në vitin 2004.

Sipas Gjon Calit, deputeti Prenga i shoqëruar nga vëllai i tij dhe dy persona të tjerë, vetëm pak ditë pasi ministria që drejtohet nga Edmond Panariti e kishte shpallur fitues të licencës së shfrytëzimit të Lagunës së Patokut, ka takuar pjesëtarë të familjes Cali duke i ofruar shitjen e licensës. Por pjëstarët e familjes Cali e kishin kundërshtuar, duke ankimuar vendimin e shpalljes së fituesit të tenderit në Gjykatën Administrative.

Kjo e fundit pasditen e së hënës do të vazhdojë seancën e radhës gjyqësore, ku pritet që Ministria e Bujqësisë të dorëzojë dosjen e plotë të tenderit të zhvilluar në mars të këtij viti.

Burimet nga prokuroria i thanë ABCNews se ka qenë ky ankim në gjykatë, që është bërë edhe shkaku i përplasjes fizike dhe me armë mes pjesëtarëve të familjes Cali dhe Prenga mbrëmjen e 4 shtatorit në rrugën Patok –Laç dhe pranë komisariatit të Kurbinit, ku për pasojë u plagosen 7 persona, mes tyre Nikoll dhe Tom Cali, të cilët dyshohen se janë qëlluar me armë zjarri nga deputeti Armando Prenga.

ABCNews ka kontaktuar avokatin Qazim Gjonaj, që mbron interesat e deputetit Prenga, në lidhje me pretendimin e familjes Cali, por ai tha se zyra ligjore nuk ka dijeni për këtë takim apo ofertë të klientit të tij.

Ndërkohë në spitalin qendror të traumës, ku po mjekohen dy vëllëzërit Cali, me kërkesë të prokurorisë mjekët i kanë hequr predhën nga këmba 66-vjeçarit Tom Cali.

Predha, e cila sipas hetuesve, është dërguar për ekzaminim në Laboratorin e Policisë Shkencore për të bërë krahasimin me gëzhojat e gjetura pranë Komisariatit të Laçit, ku ishte edhe vendi i ngjarjes.

Nga ana tjetër, edhe pse kanë kaluar mbi dy javë nga ngjarja, efektivët e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Policisë së Shtetit janë urdhëruar të ruajnë dy të plagosurit brenda dhomës së spitalit, ku ata po mjekohen.

Ky urdhër mësohet se është marr për efekt sigurie, që të evitohen përplasjet e mundshme mes dy familjeve brenda ambienteve të spitalit në Tiranë.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: