TIRANË

Pak orë pas mbledhjes së grupit socialist dhe deklaratave të kryeministrit Edi Rama se Presidenti ka shkelur Kushtetutën me mosdekretimin e Sandër Lleshit si Ministër i Brendshëm ka ardhur reagimi nga Kreu i Shtetit. Hiç më pak se një përgjigje e ashpër nga Presidenti Meta që thekson se koha e drejtimit  të shtetit shqiptar me Sekretar të Parë ka përfunduar njëherë e përgjithmonë duke iu referuar regjimit komunist kur Enver Hoxha ishte sekretar i parë e komandonte gjithçka.

Më tej në reagimin e Presidencës thuhet se Presidenti Meta është i përkushtuar maksimalisht në respekt të Kushtetutës, për të bashkëpunuar me të gjitha institucionet në vend, në interes të stabilitetit, forcimit të institucioneve dhe rritjes të kulturës së bashkëpunimit ndërinstitucional me transparencë dhe konstruktivitet.

“Informacioni i dhënë nga Kryeministria lidhur me takimin ka qenë ezaurues. Presidenti Meta konfirmon përkushtimin e tij maksimal në respekt të Kushtetutës, për të bashkëpunuar me të gjitha institucionet në vend, në interes të stabilitetit, forcimit të institucioneve dhe rritjes të kulturës së bashkëpunimit ndërinstitucional me transparencë dhe konstruktivitet.
Por njëkohësisht, Presidenti i Republikës bën të qartë se nuk do të lejojë asnjë përpjekje sfiduese ndaj autoritetit te institucionit qe përfaqëson si Kryetar i Shtetit, Komandant i Përgjithshëm i Forcave te Armatosura dhe Kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Presidenti i Republikës ka shprehur gjithmonë gatishmërinë e tij t’i japë shpjegime në mënyrë transparente dhe të përgjegjshme Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për të gjitha çështjet që Kuvendi do të shprehë interes.
Presidenti Meta ka bindjen e plotë se koha e drejtimit të shtetit shqiptar me Sekretar të Parë ka përfunduar njëherë e përgjithmonë”, thuhet në përgjigjen e Zëdhënësit të Presidentit të Republikës, Tedi Blushi, për mediat lidhur me takimin e djeshëm “Rama-Meta”.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb