Shteti i Xhorxhias do të rinumërojë me dorë të gjitha fletët e votimit të hedhura në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, tha të mërkurën zyrtari i lartë i zgjedhjeve i këtij shteti, një detyrë me përmasa të mëdha që duhet të përfundojë deri më 20 nëntor.

Presidenti i zgjedhur Joe Biden siguroi më shumë se sa 270 votat e nevojshme të Kolegjit Zgjedhor, duke fituar Pensilvaninë të shtunën, pas katër ditëve të tensionuara të numërimit, që u vonuan për shkak të rritjes së votave me postë.

Nëse merr edhe Xhorxhian, kjo vetëm sa do ta shtonte diferencën e fitores së zotit Biden.

Presidenti republikan Donald Trump ka refuzuar të pranojë humbjen dhe ka thënë – pa cituar prova – se votimi u shoqërua me mashtrime.

Numërimi i votave në Xhorxhia e vë zotin Biden përpara Presidentit Trump me vetëm 14,101 vota nga rreth 5 milion në të gjithë shtetin dhe me diferencën aq të vogël, nevojitet një rinumërim, tha në një konferencë shtypi sekretari i shtetit të Xhorxhias, Brad Raffensperger.

Brad Raffensperger
Brad Raffensperger

“Në fakt duhet të bësh një rinumërim të plotë me dorë të të gjitha votave, sepse diferenca është shumë e vogël,” tha ai.” Ne duam që kjo të fillojë para se të mbarojë java”.

“Njerëzit do të punojnë shumë jashtë orarit javët e ardhshme”, tha ai.

Një studim i grupit jo-partiak Fair Vote zbuloi se nga 31 rinumërime në të gjithë vendin midis viteve 2000 dhe 2019, rezultati ka ndryshuar në vetëm tre prej tyre. Më shpesh, ka qenë fituesi që ka dalë me pak më shumë vota.

Mesatarisht, rinumërimet e kanë ndryshuar rezultatin me 0,024%, një diferencë shumë më e vogël sesa do t’i duhej Presidentit Trump, thuhet në studim.

Zoti Biden aktualisht është përpara Presidentit Trump në Xhorxhia me 49.5% ndaj 49.2%.

Dy senatorët e Xhorxhias, David Perdue dhe Kelly Loeffler, të dy republikanët të hënën i bënë thirrje zotit Raffensperger, i cili është gjithashtu republikan, të japë dorëheqjen për mënyrën se si i menaxhoi zgjedhjet.

Por në deklaratën e tyre nuk paraqiteshin prova për mashtrime.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb