Brazili forcoi marrëdhëniet diplomatike me Kinën, partnerin e saj më të madh tregtar, gjatë vizitës shtetërore të presidentit brazilian në Pekin, më 14 prill. Presidenti i Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva dhe disa nga ministra të tij, nënshkruan marrëveshjet me presidentin Xi Jinping dhe zyrtarë të tjerë kinezë në Pekin. Ata rritën investimet dhe bashkëpunimin në fushën e teknologjisë, tw zhvillimit të qëndrueshëm dhe bënë thirrje për negociata paqeje në lidhje me luftën në Ukrainë.

Presidenti Xi tha se marrëdhëniet e Kinës me Brazilin janë një prioritet diplomatik dhe se të dyja vendet duhet të thellojnë bashkëpunimin praktik në sektorët e bujqësisë, energjisë dhe ndërtimit të infrastrukturës, raportoi televizioni shtetëror kinez CCTV, sipas Reuters. “Ne kemi një marrëdhënie të jashtëzakonshme me Kinën, marrëdhënie që po forcohet çdo ditë e më shumë”, tha Lula para takimit me Xi. Ai shtoi se Brazili dhe Kina duhet të bashkëpunojnë në mënyrë që marrëdhënia të mos jetë vetëm interes tregtar.

Të dy udhëheqësit ranë dakord se dialogu dhe negociatat janë “e vetmja mënyrë e mundshme” për gjetjen e zgjidhjes lidhur me luftën në Ukrainë, thuhet në një deklarate të përbashkët. Ata u bënë thirrje vendeve të tjera që të luajnë rol konstruktiv në promovimin e zgjidhjes politike ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë. Vizita e Lula ndodhi pas katër vjet marrëdhëniesh të tensionuara me Kinën, ndërsa Brazili drejtohej nga presidenti i ekstremit të djathtë Jair Bolsonaro. Gjatë kësaj periudhe, tregtia vazhdoi pa probleme, por investimet nga kompanitë kineze ranë.

Në fokusin e ri të marrëdhënieve dypalëshe, të dy vendet vendosën të forcojnë bashkëpunimin në mbrojtjen e mjedisit dhe trajtimin e ndryshimeve klimatike. Në diskutimet për partneritetin strategjik, u pajtuan për krijimin e një komisioni të përbashkët. Ata ranë dakord të veprojnë së bashku me vendet në zhvillim në forumet ndërkombëtare për çështjet e klimës, duke kërkuar rritjen e fondeve për projektet e zhvillimit të qëndrueshëm.

Kina është zotuar të mbështesë energjinë e pastër dhe prodhimin e hidrogjenit të gjelbër në Brazil, por nuk pati marrëveshje për një fond dypalësh të investimeve të gjelbra, për të cilin Brazili kishte shpresuar se do të financonte dhe subvenciononte zhvillimin e energjisë së rinovueshme. Kina dhe Brazili u pajtuan për të krijuar një grup pune për vazhdimin e bashkëpunimit në fushën e gjysmëpërçuesve, duke forcuar lidhjet në fushën e teknologjisë.

Teknologjia e informacionit ka qenë pikë kontestuese në marrëdhëniet e Kinës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet evropiane, të cilat në disa raste i kanë ndaluar produktet kineze për arsye sigurie. Megjithatë, Brazili, është i interesuar të tërheqë investime kineze në ato fusha, pavarësisht presionit nga Qeveria amerikane në vitet e fundit, për të dekurajuar përdorimin e pajisjeve celulare të gjeneratës së pestë nga gjigandi i teknologjisë Huawei Technologies.

Zyrtarët thanë se Brazili është i hapur për të ndërtuar një fabrikë kineze të gjysmëpërçuesve dhe është i interesuar të zhvillojë teknologjinë në bashkëpunim me Kinën. Të enjten, më 13 prill, Lula vizitoi qendrën kërkimore të Huawei në Shangai dhe u njoftua nga afër me teknologjinë. Në një fjalim publik në Pekin, Lula tha se vizita e tij në Huawei “është një demonstrim që duam t’i tregojmë botës se nuk kemi paragjykime në marrëdhëniet tona me kinezët”. “Askush nuk do t’ia ndalojë Brazilit të përmirësojë marrëdhëniet e tij me Kinën”, shtoi ai.

Në vitin 2009, Kina tejkaloi Shtetet e Bashkuara si partneri më i madh tregtar i Brazilit dhe si treg kryesor për sojën, mineralin e hekurit dhe vajin e Brazilit. Investimet kineze në Amerikën Latine tani janë më të mëdhatë në Brazil.

Ministri brazilian i Financave, Fernando Haddad tha se ata po thellojnë studimet për të kryer tregtinë me monedhat lokale, duke vënë në dukje se ideja e reduktimit të varësisë nga dollari ka qenë prej kohësh në agjendën e grupit BRICS (Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut), grup ky i kombeve të mëdha në zhvillim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: