Analisti dhe pedagogu Fitim Zekthi ka komentuar situatën në PD dhe procesin për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës. I ftuar në “Opinion” në Neës24, Zekthi tha se Enkelejd Alibeaj po përpiqet të qëndrojë me dinjitet, të paraqesë një pikëpamje të asaj opozite që përfaqëson.

Lidhur me situatën në PD dhe zgjedhjet për kreun e ri, vendimin që pritet të Gjykatës, ai theksoi se Berisha mund të ketë shumicën, por se fakti që ti ke shumicën nuk do të thotë që ke të drejtë.

“Z. Alibeaj po përpiqet të qëndrojë me dinjitet, të paraqesë një pikëpamje të asaj opozite që përfaqëson. Këtu procese të ndershme nuk ka pasur kurrë.
Alibeaj po tregon seriozitet, po thotë ne kemi këto kritere. Ai po mundohet dhe që në këtë presion të tmerrshëm të tregojë se nuk është loja e Ramës. Më mirë të dalësh i humbur se sa të fitojë me hile. Ai po tregon nëpërmjet transparencës në këtë proces që nuk po bën hile.
Z. Rama thotë që unë jam i gatshëm të votoj dikë që ka integritetin e duhur, s’ka rëndësi nëse vjen nga e majta apo nga e djathta. Në këtë mënyrë opozita po bën pjesën e saj. Alibeaj po përpiqet të thotë se ne nuk po prishim asnjë konsensus. Z. Rama po bën një truk. Në fund fare do të thotë që opozita nuk bëri gjënë e duhur dhe nuk solli kandidatin e duhur. Rama ka zgjedhur para 5 vitesh një president në mënyrë të njëanshëm. Sot thotë ishte përfaqësues i opozitës. Me të drejtë z. Meta ka qenë opozitar i thekshëm, në disa raste me të drejtë.
Duhet bërë një përpjekje që të bindim shqiptarët, jo veten. Që nëse ky e ka seriozisht ne po bëjmë pjesën tonë”, tha Zekthi.

Ai deklaroi më tej se Alibeaj po përpiqet të çmontojë një truk, por po përballet me sulme të paimagjinueshme nga pjesa tjetër e opozitës.
“Politika e zemërimit këtë fatkeqësi ka që mendojnë se pala tjetër nuk ka asgjë të mirë, është maskara, i pamëshirshëm. Alibeaj ndodhet në këtë situatë për të ardhur keq, truku i Ramës, sulmi këtej, i bie të ikësh pas malit të zhdukesh. Ndaj ai po bën përpjekje për transparencë. E shoh me simpati këtë lloj përpjekje”, tha analisti.

Sa i përket situatës në PD, ai tha se vendimi i pritshëm i gjykatës duhet të trajtohet me respekt.
“PD u bë u bë narciziste. Një konflikt zgjidhet me 3 mënyra, ose me negociata, ose me luftë fizike, me dhunë, ose me gjykata. Nëse nuk kemi fuqi morale, mendore të ulemi në negociata, atëherë do bëjmë luftë.
Pasi Berisha nuk e zgjidhi dot me negociata, ka prodhuar nga e para institucionet e veta. Institucionet e tjera mund të goditeshin nga brenda ose nëpërmjet gjykatës. Këto janë institucionet të dala nga asgjëja.
Z. Berisha mund të ketë shumicën, fakti që ti ke shumicën nuk do të thotë që ke të drejtë. Vendimi i pritshëm i gjykatës duhet të trajtohet me respekt. Nëse Berisha ka shumicën, le të bëjë një parti, një parti që do të pushtojë botën, çfarë të dojë, por kjo të bëhet në mënyrë të drejtë.
Nëse palën tjetër nuk e do asnjë shqiptar le të zhduket. Por e drejta është e drejtë. Kjo është çështje precedenti. Nëse z. Berisha ka uzurpuar PD-në, kjo i duhet thënë. Unë do isha i lumtur nëse z. Berisha do krijonte një parti dhe do fitonte zgjedhjet, por në mënyrë të drejtë, jo me politika linçuese”, tha Zekthi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb