TIRANË – Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka dekoruar sot për merita të veçanta civile, pas vdekjes, gazetaren e “News 24”, Enkelejda Skënderasin, e cila humbi jetën vitin e shkuar në krye të detyrës.

Presidenti Nishani e ka dhënë këtë dekoratë në takimin tradicional të urimit të Vitit të Ri me përfaqësuesit e medias në vend. Këtë takim, ai e nisi duke përkujtuar me nderim, gazetarët francezë të vrarë në sulmin terrorist të së mërkurrës dhe me një minutë heshtje.

“Ngjarje me tension, ngjarje dhe tragjike janë konsumuar vitin e kaluar në vend,- tha Nishani më pas,- por falë jush ato i kanë mbërritur publikut në kohë reale. Pavarësisht se na kritikoni shpesh, ne njerëzit e politikës do të ishim të shqetësuar nga heshtja juaj, jo nga kritika se kritika është një mundësi më shumë për të parë veten në raport me Kushtetutën dhe nevojat e vendit.”

Duke përfituar nga takimi, Nishani i kushtoi një vëmendje të veçantë gazetares së “News 24”, Enkelejda Skënderasit. “Më lejoni ta shfrytëzoj këtë moment për një kolegen tuaj, – u tha ai gazetarëve të mbledhur, – kolegen që vitin e kaluar, duke renduar në detyrë, humbi jetën e saj. Dua të kujtoj sot Enkelejda Skënderasin, gazetaren e “News 24” dhe për kontributin e saj, si President, t’i jap një titull të veçantë “Për merita të veçanta civile” pas vdekjes.

Presidenti ia dorëzoi dekoratën, Administratorit të “Focus Group”, z.Kasem Hysenbelli, i cili duke e vlerësuar respektin dhe nderimin që iu bë gazetares nga Presidenti i Republikës, tha:

“Falemnderit z.President, për këtë dekoratë për ish-gazetaren e “News 24” dhe “Gazetës Shqiptare”, Enkelejda Skënderasi. Në të tilla raste thuhen fjalë të mira, por jam i detyruar të gjej fjalët më të duhura për Enkelejdën, fjalët më të mira për të, e cila vërtet humbi tragjikisht.

Enkelejda lindi dhe u rrit në një familje të varfër korçare. Ajo u rrit dhe u edukua me tradita, luftoi fort dhe në sajë të kurajës së familjes, u bë një gazetare e shkëlqyer.

Ajo nuk i dha lajmet nga kafenetë, – theksoi Hysenbelli, – por i dha direkt nga terreni, derisa humbi dhe jetën në një aktivitet në Panarit të Korçës. Për “News 24”-ën, ky të jetë një mesazh që me këtë dekorim që bën Presidenti, gazetarët për fjalën e lirë të tyre dhe misionin historik, nuk do të ndalen jo vetëm para plumbave, por edhe natyrës.”

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: