Presidenti amerikan Donald Trump dhe zonja e parë Melania Trump do të nisen për një vizitë shtetërore tre ditore në Britani prej datës 3 deri më 5 qershor. Zoti Trump ishte në Britani në korrik të vitit 2018 për një vizitë pune, e cila ishte më pak pompoze sesa një vizitë shtetërore. Faturën e shpenzimeve për një vizitë pune e mbulon vendi i ftuar dhe jo ai pritës.

Një vizitë shtetërore është një vizitë zyrtare e një kryetari shteti dhe normalisht bëhet me ftesë të mbretëreshës me këshillë të qeverisë së saj. Ftesa për një vizitë shtetërore pritej menjëherë sapo zoti Trump mori detyrën në 2017, por një numër shqetësimesh, përfshirë ato që lidhen me sigurinë i prishën planet. Shtëpia e Bardhë njoftoi se kjo vizitë do të rikonfirmojë “marrëdhënien e palëkundur e të veçantë mes Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar”, raporton Voa.

Dymbëdhjetë presidentë amerikanë kanë vizituar Britaninë, por vetëm dy prej tyre kanë qenë në Britani si pjesë e një vizite shtetërore, George W. Bush në vitin 2003 dhe Barack Obama në vitin 2011. Përveç një dreke private dhe një banketi shtetëror organizuar nga mbretëresha, presidenti dhe zonja e parë do të marrin pjesë edhe në disa aktivitete kulturore me anëtarët e tjerë të familjes mbretërore. Ata do të marrin pjesë në një aktivitet për të përkujtuar 75 vjetorin e zbarkimit të forcave aleate në Normandi gjatë Luftës së Dytë Botërore, përfshirë një vizitë në Portsmouth, një vend ku nisi ofensiva që çoi në çlirimin e Evropës. Pritet gjithashtu që të marrin pjesë edhe përfaqësues nga vende të tjera.

Vizita e presidentit Trump pritet të përcillet me protesta. Gjatë vizitës së tij korrikun e kaluar, më shumë se 100,000 vetë protestuan në rrugët e Londrës, sipas një njoftimi të policisë. Këtë vit organizatorët e protestës thonë se presin një shifër të ngjashme. Protesta kryesore nën titullin “Së bashku kundër Trump-it”, do të zhvillohet në Londër të martën më 4 qershor. Protesta të tjera më të vogla janë planifikuar në qytete të tjera të Britanisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb