Presidenti francez Emmanuel Macron pritet të zhvillojë një vizitë zyrtare në Groenlandë më 15 qershor, raportoi e përditshmja franceze Le Monde, duke cituar një burim nga zyra presidenciale franceze.
Me ftesë të kryeministres daneze Mette Frederiksen dhe Jens-Frederik Nielsen, kryeministrit të vetëqeverisjes së Groenlandës, presidenti francez Macron do të jetë kreu i parë i shtetit të huaj që viziton Groenlandën që nga kërcënimet e presidentit amerikan Donald Trump për aneksim, raportoi Le Monde.
Sipas zyrës presidenciale franceze, Elizesë, të tre udhëheqësit do të zhvillojnë bisedime mbi sigurinë në Atlantikun e Veriut dhe Arktik, si dhe çështje që lidhen me ndryshimet klimatike, tranzicionin energjetik dhe furnizimin me minerale kritike.
Kjo vizitë synon të “forcojë bashkëpunimin me Groenlandën në këto fusha dhe të kontribuojë në forcimin e sovranitetit evropian”, vuri në dukje Le Monde, duke cituar burimin nga Elysee.
Trump ka shprehur vazhdimisht dëshirën për të blerë Groenlandën, një territor autonom i Danimarkës me vendndodhje strategjike dhe të pasur me burime.
Groenlanda, dikur një koloni daneze, u bë pjesë integrale e Mbretërisë së Danimarkës në vitin 1953. Asaj iu dha sundimi vendas në vitin 1979, duke zgjeruar autonominë e saj, megjithëse Danimarka mban kontrollin mbi punët e jashtme dhe mbrojtjen .
(A.A/BalkanWeb)