PARIS– Presidenti francez, Emmanuel Macron i shprehu shefit të qeverisë spanjolle Mariano Rajoy mbështetjen e tij për unitetin kushtetues të Spanjës, njoftoi sot Elizeja, një ditë pas referendumit për pavarësinë e Katalonjës shënuar nga dhuna policore.

Gjatë një bisede telefonike, Macron rikonfirmoi mbështetjen e tij për Rajoyn, por nuk përmendi dhunën policore që bëri shumë të plagosur të dielën në Katalonjë.

“Emmanuel Macron përmendi gjithashtu në bisedën me Rajoy propozimet e tij për të reformuar Evropën duke theksuar rëndësinë për një bashkëpunim më të ngushtë franko-spanjoll për të arritur suksesin”, sipas Elizesë.

Nga ana tjetër edhe Komisioni Evropian i ka bërë thirrja gjithë aktorëve që të kalojnë nga konfrontimi në dialog, duke theksuar se dhuna nuk mund të jetë kurrë një instrument politik, por kujtoi gjithashtu se në kuadër të Kushtetutës spanjolle, vota e djeshme në Katalonjë nuk ishte ligjore.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: