Tirana e nisi mirë sezonin. Fitorja 4-2 ndaj Skënderbeut është ogur i mirë, por presidenti Refik Halili kërkon edhe gjashtë pikë të tjera në dy ndeshjet e ardhshme. Numri një i klubit, nisur nga kalendari, u ka kërkuar bardhebluve 9 pikë në tri ndeshjet e para.

Tri u morën dhe tani duhen edhe 6 të tjera. Tirana ka kalendar të mirë dhe në javën e dytë fitorja mbetet detyrë, pasi pret Egnatian. Çdo rezultat tjetër përveç fitores, duket dështim. Por jo vetëm kaq, Halili kërkon fitore edhe në javën e tretë ndaj Kastriotit.

Fakti që luhet Kamëz dhe jo në Krujë, presidenti e quan detyrim marrjen e maksimumit edhe në ndeshjen e tretë të kampionatit. Pra, gjashtë pikët e mbetura janë më se të arritshme nga bardheblutë. Numri një i klubit të Tiranës e di mirë që duke nisur nga java e katërt e tutje, e pret një kalendar ferri.

Pas ndeshjes me Kastriotin, pa përmendur takimet e Kupës, Tirana ka 6 sfida të forta, me Laçin fillimisht në “Selman Stërmasi”, më pas udhëton në Durrës për të luajtur me kampionët e Shqipërisë, vazhdon me Partizanin, shkon në Shkodër, luan me Dinamon brenda dhe në fund përballet me Kukësin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb