Presidenti i ekstremit të djathtë i Brazilit, Jair Bolsonaro, u tha mbështetësve të tij në qytetin Ponta Pora se komisioni i Senatit, që është duke hetuar sjelljen e tij gjatë pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), “nuk mund t’i bëjë asgjë”, duke i quajtur disa nga anëtarët e tij “kriminelë”.

“Nuk mund të më bëjnë asgjë. Ata nuk do të më nxjerrin nga zyra me gënjeshtra ose me një komitet hetimor të Senatit (CPI), i cili përbëhet nga shtatë kriminelë. Ne kemi një mision përpara nesh: të drejtojmë fatin e kombit tonë dhe të sigurojmë mirëqenien dhe përparimin e popullit tonë”, tha tha Bolsonaro.

Në deklaratën e tij duke lavdëruar ushtrinë, ai tha se, “Unë ndiej vetëm paqe dhe qetësi sepse e di që, përveç popullit, unë kam Forcat e Armatosura të përkushtuara për demokracinë dhe lirinë tonë”.

Deklaratat e presidentit brazilian erdhën në të njëjtën ditë kur deputetët e opozitës paraqitën një kërkesë për fajësim kundër tij në dhomën e ulët të Kongresit. Më shumë se 120 kërkesa të ngjashme janë paraqitur tashmë. Kërkesat e mëparshme u lanë mënjanë nga kryetari i dhomës së ulët, Arthur Lira, i cili refuzoi t’i hidhte në votim.

Nisma e fundit, me nënshkrimet e ish-aleatëve të Bolsonaro-s, ndryse njihet si një “super kërkesë” pasi rendit 21 akte nga Bolsonaro të cilat konsiderohen si krime të përgjegjësisë. Përveç përfaqësuesve nga e majta, qendra dhe e djathta, dokumenti është nënshkruar edhe nga subjekte të shoqërisë civile.

Ndër aktet e renditura janë nxitja e konfliktit me vendet e tjera, deklaratat ksenofobike, kërcënimet ndaj Kongresit dhe Gjykatës së Lartë, ndërhyrja e padrejtë në Policinë Federale dhe Forcat e Armatosura, pjesëmarrja në akte anti-demokratike dhe në protestat pro-ushtarake të ndërhyrjes, kërcënimet kundër një përfaqësuesi zyrtar, lëshimet dhe gabimet në luftimin e pandemisë së koronavirusit, sulmet ndaj procesit zgjedhor dhe dështimi për të krijuar një plan për të mbrojtur popujt indigjenë në mes të pandemisë.

Presioni për largimin e Bolsonaro-s nga detyra është rritur ditët e fundit, që nga zbulimi i akuzave për korrupsion në blerjen e vaksinave. Përparimi i punës së komitetit në Senat e ka bërë Bolsonaro-n më të prekshëm.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb