Presidenti i FSHF, Armand Duka ka përcjellë një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të trajnerit kroat Otto Bariç.

Duka thotë se Otto Bariç ka qenë një nga trajnerët më të mirë që ka patur Shqipëria. Ai kujton kohët kur Bariç drejtoi Shqipërinë, në vitet 2006-2007 për të cilin thotë se mësoi shumë nga kroati në të gjitha këndvështrimet.

Për Armand Dukën Bariç ka qenë një ekspert në futboll dhe njeri shumë i mirë. Bariç vdiq sot në moshën 87-vjeçare teksa kurohej në një klinikë nga COVID-19.

 

STATUSI NGA PRESIDENTI I FSHF

Mësova me trishtim lajmin për ndarjen nga jeta të ish-trajnerit të Shqipërisë dhe mikut tonë, Otto Bariç.

Ai ka qenë një nga trajnerët më të mirë që ka patur Shqipëria. Padyshim një ekspert, por dhe një njeri shumë i mirë.

Koha që bashkëpunuam kur ai drejtoi kombëtaren e Shqipërisë, ka lënë mbresa dhe kujtime të pashlyera. Kam pasur gjithmonë vlerësimin maksimal për të. E kam thënë në shumë ambiente, por e them përsëri, kam mësuar shume nga bashkëpunimi me Otton në të gjitha këndvështrimet.

Ngushëllimet më të sinqerta për familjen, Federatën Kroate të Futbollit dhe miqtë e tij të shumtë. Gjithmonë i paharruar, Otto!



(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb