IRAN– Presidenti i Iranit, Hasan Rohani, është shprehur se Teherani nuk do ta lejojë presidentin e zgjedhur, Donald Trump, ta shkatërrojë marrëveshjen bërthamore që është arritur mes Iranit dhe fuqive botërore.

Rohani tha, gjatë një fjalimi të mbajtur në Universitetin e Teheranit, se Trump kërkon të bëjë shumë gjëra por asnjë nga veprimet e tij nuk do ketë ndikim mbi ne. Trump, i cili do të nisë mandatin e tij më 20 janar, është shprehur gjatë fushatës zgjedhore se marrëveshja me Iranin është e “tmerrshme” dhe se prej saj përfiton vetëm Irani dhe nëse do të zgjidhej president do ta shkatërronte atë.

Megjithatë, pasi u zgjodh president ai tha se do të ishte e vështirë të prishte një marrëveshje të përfshirë në një rezolutë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Vërejtjet e fundit të liderit të Iranit ishin përpjekja e fundit e vendit për të larguar shqetësimet rreth asaj se çfarë mund të ndodhë me marrëveshjen bërthamore pas zgjedhjes së Trumpit si president i SHBA-së.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Muhamed Zarif, është shprehur se secila nga shtatë fuqitë botërore të përfshira në marrëveshja janë të detyruara ta zbatojnë plotësisht atë.

Marrëveshja e korrikut u nënshkrua pas dy vitesh negociata mes Iranit, SHBA-së, Kinës, Britanisë, Francës, Gjermanisë dhe Rusisë. Ajo ka çuar drejt lehtësimit të sanksioneve ndaj Iranit në këmbim të kufizimit të programit bërthamor të këtij vendi.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb