PRISHTINE- Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk ka porositur institucionet kosovare që të angazhohen në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë si dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në bisedime, në të kundërtën Kosova nuk mund të avancojë drejt Bashkimit Evropian. Gjatë vizitës së tij në Prishtinë, Tusk tha se Kosova ka shënuar progres duke veçuar kështu votimin në Kuvend të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi. Mirëpo, sipas Tusk, ende mbetet punë për tu bërë, sidomos në procesin e bisedimeve me Serbinë.

“Pa një normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve me Serbinë dhe implementim të plotë të marrëveshjeve, unë nuk di se si mund të arrihet përparim në raportet me Bashkimin Evropian. E di se do të jetë e vështirë, por unë ende jam optimist, dhe pas takimit të djeshëm me Aleksander Vuçiqin dhe takimit të sotëm më presidentin tuaj jam më optimist”, ka deklaruar presidenti, Donald Tusk. Presidenti Tusk, tha po ashtu se vizita në rajon kishte për qëllim parapërgatitjet për Samitin për Ballkanin Perëndimor që do të mbahet me 17 maj në Sofje të Bullgarisë.

Këto komente, Tusk i bëri pas takimit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili deklaroi se ai është i përkushtuar ndaj procesit të dialogut mes Kosovës e Serbisë. Presidenti Thaçi, tha se procesi i bisedimeve duhet të përfundojë me njohje reciproke mes të të dyjave vendeve. “Me presidentin Tusk u pajtuam që është krijuar një momentum pozitiv dhe se ka shumë gjëra që mund t’i bëjmë së bashku, por natyrisht se duhet të kalohen pengesat politike. Në këtë drejtim folëm për përkushtimin tonë në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe të Serbisë të lehtësuar dhe udhëhequr nga Bashkimi Evropian”.

“Ky përkushtim nënkupton zbatimin e marrëveshjes, marrëveshjeve të arritura deri më tani, por edhe lëvizjen drejt një marrëveshjeje përfundimtare të obligueshme ligjërisht që do të mundësojë njohje reciproke dhe integrim edhe më të shpejt edhe për Kosovën edhe për Serbinë në familjen evropiane”, tha presidenti Thaçi. Për dialogun me Serbinë, presidenti Thaçi tha se do të bisedojë edhe me kancelaren gjermane Angela Merkel më 9 maj në Berlin. Presidenti Thaçi foli edhe për tema të tjera siç është pjesëmarrja e Kosovës në Samitin e Ballkanit Perëndimor që do të mbahet muajin tjetër në Sofje të Bullgarisë. Pjesëmarrja në këtë Samit sipas presidentit Thaçi do të shfrytëzohet për rritjen e bashkëpunimit ekonomik./tg

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb