Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel deklaroi sot se, duhet përshpejtuar procesi i integrimit të Ballkanit Perëndimor.

I pyetur në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Kryeministrin Edi Rama, se kur do të anëtarësohet Shqipëria në BE, pasi duket sikur duhet që Rusia të hedhë bomba diku që vëmendja e BE të jetë në rajon, Michel tha se, “nuk prita këtë mbledhje për të ardhur në Tiranë”.

“Kam ardhur si kryeministër belg dhe kam patur rastin të shkëmbej rregullisht me kryeministrin Rama prej 3 vitesh në funksionin tim gjithashtu. Edhe para shpërthimit të luftës të Rusisë kundër Ukrainës kam pasur rastin të vijë në Tiranë. Janë këto dialogje, këto shkëmbime, të kuptuarit më mirë me Edi Ramën dhe me liderë të tjerë të tjerë të rajonit që na bëjmë të kuptojmë ne në BE rëndësinë për ta bashkuar këtë proces. Dhe kohët e fundit kemi qenë të shumtë se duhet përshpejtuar procesi i integrimit të Ballkanit Perëndimor”, tha Presidenti Michel.

“Është e vërtetë që lufta e filluar nga Rusia e përforcoi këtë bindje se kishte një dimension gjeopolitik urgjent që duhej marrë parasysh, por faktet janë fakte. Para disa muajsh ishim në Bruksel dhe ju e mbani mend konferencën e shtypit të kryeministrit Edi Rama pas mbledhjes. Në Bruksel pati një ndjesi frustrimi reciproke, një ndjesi lodhjeje, një ndjesi braktisje, por gjithashtu pati një reagim falë mbledhjes së Brukselit me vullnetin e fortë nga të dyja anët për të punuar për ta zhbllokuar atë që i ishte bllokuar. Dhe ishte bllokuar në mënyrë absolutisht të padrejtë. Dhe kjo bëri të mundur që të rilançohej ky proces dhe të rilançohej ambicia. Dhe lista e krijuar nuk ishte një listë qëllimesh, por ishte listë projektesh konkrete dhe të prekshme që janë fryt i shkëmbimeve që kemi pasur para fillimit të luftës me Edi Ramën, i cili më ka thënë që nuk duhej pritur fundi i procesit të integruar për të pasur rezultate progresive, të prekshme, të perceptueshme nga qytetarët të vendeve tona dhe vendet tona të kuptojnë përfitimet e përafrimit pa pritur përfundimin e procesit”, theksoi Michel.

“Shpresoj që ky proces të jetë sa më i shpejtë. Do të ketë një integrim efektiv të Ballkanit Perëndimor. Kjo do të thotë guxim, punë, reforma të kryera mirë”, theksoi Michel.

“Kur flasim për paketën energjetike, për marrëveshjen energjetike, për universitetin. Të rinjtë shqiptarë që do të jenë më shumë të pranishëm në universitetet evropiane”, tha Michel, duke shtuar se, “gjithashtu çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë, me emigracionin, janë çështje jashtëzakonisht konkrete, që kanë një impakt konkret në jetën e qytetarëve. Nuk janë fjalime të përgjithshme”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb