TIRANE – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë në emisionin ‘Opinion’ në “TV Klan” ka folur për marrëdhëniet mes shtetit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë. Thaçi ka komentuar deklaratat e ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, se Shqipëria nuk mund ta përfaqësojë Kosovën në Beograd dhe shkrimet e analistëve të njohur të Kosovës dhe Shqipërisë gjatë ditëve të fundit, të cilët kanë trajtuar me tone të forta këtë realitet të krijuar mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Thaçi i ka cilësuar këto shkrime dhe këtë diskutim “konfliktual”, si një debat artificial që është krejt pa kuptim. Sipas tij, raportet mes Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe raportet e tij personale me kryeministrin Rama, janë të shkëlqyera dhe se dy shtetet nuk janë në garë, por plotësuese të njëra-tjetrës.

“Tjetër gjë është keqkuptimi dhe tjetër gjë është leximi i drejtë i deklaratës që u jep përparësi BE-së dhe SHBA-ve, që është edhe realitet. Por z. Hoxha nuk e mohon rolin e Shqipërisë, një rol ndihmues shumë i rëndësishëm, që ka qenë edhe më herët, është edhe sot dhe që do të jetë edhe më vonë. Zoti Rama ka të drejtë plotësisht të flasë për Kosovën, jo në emër të Kosovës. Për Kosovën vendosin institucionet legjitime”, – ka thënë presidenti i Kosovës në emisionin ‘Opinion’ në “TV Klan”.

“Edhe unë flas për Shqipërinë kur më jepet mundësia, por vendimmarrja i takon Tiranës. Për Kosovën vendosin institucionet. Për vendimmarrjen e saj vendosin autoritetet”, – ka shtuar Thaçi. I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu për nënshkrimin e një marrëveshjeje bilaterale nga ana e qeverisë shqiptare dhe asaj serbe për autostradën Nish-Durrës pa qeverinë e Kosovës, Thaçi deklaroi se një marrëveshje e tillë nuk ekziston, në dijeninë e tij.

“Nuk e kam lexuar ndonjë projekt të tillë për autostradën Nish-Durrës. Shqipëria duhet ta përfundojë autostradën nga Miloti në Durrës dhe është më mirë sesa të mendojë për vendet e tjera”. Për presidentin Thaçi, zhurma mediatike për takimet e shpeshta të kryeministrit Edi Rama me krerët e shtetit serb nuk ka rëndësi për aq kohë sa deklaratat dhe qëndrimet e tij në raport me Kosovën janë të drejta. Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka reaguar më herët në lidhje me polemikat e shumta të shkaktuara pas vizitës së Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Serbi. Në një status në faqen e tij në “Facebook”, kryeparlamentari kosovar duket se i jep të drejtë kryeministrit shqiptar, pasi thekson se zhvillimi pozitiv i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë është një vlerë më shumë në rrugën rajonale të integrimeve euroatlantike dhe se Kosova nuk humbet asgjë nga ky zhvillim.

“Raportet e Kosovës me Shqipërinë janë raporte vëllazërore. Janë shembull se si duhet të ndërtohen raportet mes shteteve dhe popujve në të gjithë rajonin tonë. Zhvillimi pozitiv i marrëdhënieve në mes Shqipërisë dhe Serbisë është një vlerë më shumë në rrugën rajonale të integrimeve euroatlantike. Kosova nuk humbet asgjë nga ky zhvillim. Përkundrazi, përfiton edhe më shumë, ngase po ndërtohet një klimë e përgjithshme e komunikimit dhe dialogut rajonal. Është në interesin e Kosovës që Shqipëria të flasë dhe të përçojë zërin e Kosovës kudo ku ne ende nuk arrijmë të kemi përfaqësim institucional. Sot, si kurrë më parë, me Shqipërinë duhet të kemi debat për marrëdhëniet ekonomike, e jo debat simbolesh. Është koha për ekonomi, jo për histori e romantizëm”, – ka shkruar Veseli.
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: