Historia e Laçit në Europë u shkrua në Rumani, por kurbinasit besojnë te mrekullia e radhës, ndonëse përballë kanë një emër me peshë në futbollin europian, Anderlecht.

Përveç optimizmit të shprehur nga trajneri Shpëtim Duro në prag të sfidës së sotme me belgët, një tjetër provë besimi për të shkruar një tjetër faqe të ndritur në historinë e klubit është premio që presidenti i klubit, Pashk Laska, ka akorduar për kualifikimin ndaj Anderlecht.

Mësohet se presidenti Laska nuk do të kursehet për suksesin e ekipit, pasi u ka premtuar një premio “të çmendur” për nivelin shqiptar, 150 mijë euro për kualifikimin ndaj gjigantëve belgë.

Presidenca kurbinase e tregoi veten edhe pas kualifikimit në Rumani, ku skuadra u shpërblye me 70 mijë euro për suksesin historik të Laçit. Praktikisht duket një mision i pamundur, duke pasur parasysh potencialin dhe nivelin e kundërshtarit, por futbolli i pranon edhe të papriturat.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb