Presidenti i Ligës spanjolle të futbollit, Havier Tebas, ka lëshuar një tjetër “bombë” duke shkaktuar shumë zhurmë në Spanjë. Duke folur për gazetën “El Periódico de España” ai është ndalur te situata te Barcelona, duke shprehur qëndrimin e tij pro shkarkimit të ish-drejtorit të klubit Ferran Referter.

Ish-drejtori i Barçës u shkarkua nga presidenti Laporta më herët gjatë janarit edhe pse zyrtarisht u cilësua si një dorëheqje. Numri një i ligës spanjolle, Tebas, ka saktësuar se Reverter ishte spiuni i Realit te Barcelona, duke ndikuar në shumë vendime që sipas tij e kanë dobësuar klubin.

Këtu ai ka përmendur qëndrimin e Barçës ndaj sponsorizimit të Ligës nga fondi i investimeve “CVC”, ku Barça, Reali dhe Bilbao qëndruan jashtë.

“Fakti që Barcelona nuk firmosi me ‘CVC’-në ishte pasojë e presioneve të Reverterit. Ai ishte njeriu i Florentino Perezit te Barcelona. Ndaj, te Barcelona vendosën ta largojnë”, ka thënë Tebas. Presidenti i Ligës spanjolle ka saktësuar gjithashtu se Reverter ishte kategorikisht kundër marrëveshjes mes Ligës dhe fondit “CVC”.

“Ai ishte kundër marrëveshjes edhe pse nuk merrte vesh nga futbolli. Ai vinte nga një kompani që merrej me shitje televizorësh, lavatriçesh e kështu dhe u katapultua drejtor i Barcelonës për të bërë politikën e klubit dhe diskutuar për të drejtat televizive e tema të tjera sportive.

Nëse Barça nuk ka firmosur me fondin “CVC” është për faj të tij. Ai e ka gënjyer Laportën, duke bërë lojën e Realit. Ndaj, nuk më shqetëson shkarkimi i tij, mua më shqetëson më shumë situata e Barcelonës.

Pavarësisht problemeve financiare, Barça mbetet një nga klubet më të rëndësishme në botë”, ka thënë presidenti i Ligës, Havier Tebas./Panorama sport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb