Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, deklaroi se fotografia e tij në shoqërinë e presidentit aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe ish-oficerit të inteligjencës palestineze, Mohamed Dahlan, është bërë në shtëpinë e Vuçiçit, por ai nuk mund të thotë se në çfarë vit.

“Mendoj se presidenti Vuçiç sapo ishte transferuar në presidencë, më parë ishte në qeveri, nënkryetar dhe më pas president. Por ishte koha kur do të kishim rënë dakord të bisedonim…”, ka thënë Gjukanoviç në një intervistë, pjesë të së cilës janë publikuar në uebsajtin e medias N1 dhe do të transmetohet të plotë në mbrëmje.

Gjukanoviç ka thënë se në atë kohë ka biseduar me Vuçiçin për çështje të ndryshme politike.

“Të paktën ka qenë çështja e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi, sepse atëherë ato marrëdhënie dukeshin të mira. Kishte disa pyetje në lidhje me zhvillimin ekonomik dhe politik dhe disa bashkëpunime në politikën e jashtme. Duke pasur parasysh mandatin tim të gjatë, kam pasur më shumë përvojë dhe bashkëpunim me vende të caktuara, me rajone të caktuara etj. Jam përpjekur të ndaj përvojën time me presidentin Vuçiç, duke llogaritur se kjo mund të jetë e mirë vetëm për Serbinë”, tha ai.

Sipas Gjukanoviçit, Dahlan atëherë ishte në Beograd.

“Në një fazë, jo gjatë gjithë bisedës, por kur unë dhe presidenti Vuçiç i mbaruam temat tona, ai na u bashkua, pimë diçka…”, ka thënë Gjukanoviç.
Ish-ministri palestinez i Sigurisë Mohamed Dahlan, i cili dikur u akuzua për përvetësim të dhjetëra milionë dollarëve nga fondet shtetërore, ka nënshtetësi malazeze dhe serbe, dhe në vitin 2013 ai mori një urdhër nga presidenti i atëhershëm i Serbisë, Tomislav Nikolic, për forcimin e lidhjeve me Emiratet e Bashkuara Arabe.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb