Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, e ka cilësuar si “skandaloze” kërkesën e Sofjes për pjesëmarrje në procesin e ndryshimeve të kushtetutës së Maqedonisë së Veriut. Ministri bullgar i Punëve të Jashtme, Nikolaj Milkov, ka thënë të mërkurën se Bullgaria dëshiron të përfshihet dhe të konsultohet në procedurën për përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut.

Ndryshimet kushtetuese janë obligim që del nga marrëveshja mes Shkupit dhe Sofjes bazuar në atë që njihet si “propozim francez” për zgjidhjen e kontesteve për gjuhën, identitetin dhe çështjet historike, por edhe për përfshirjen e bullgarëve në preambulën e Kushtetutës.

“Kërkesa nga Sofja është skandaloze. As pushtuesit nuk bëjnë kërkesa të tilla ndaj vendeve, territoreve apo shteteve që i pushtojnë. Në shekullin XXI është absurde dhe joshembullore të kërkosh të ndërhysh në proceset e brendshme politike dhe kushtetuese-ligjore të çdo vendi. Dhe mendoj se në këtë drejtim përgjigja jonë e djeshme përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme ka qenë në vend”, deklaroi presidenti Pendarovski.

Ministri i Jashtëm i Bullgarisë kërkesën për përfshirjen në bisedimet për ndryshimet kushtetuese e ka paraqitur në takimin e të mërkurës me Ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani. “Natyrisht që atmosfera atje e lejon këtë të ndodhë. Ka elemente të mosndëshkimit që e favorizojnë atë. Tani, me sa dimë, atje (në Shkup) tashmë po diskutohen disa variante të teksteve të ndryshimit të Kushtetutës. Ne do të donim të ishim pjesë e këtij procesi, në mënyrë që ai të ecë pa probleme. Ne dëshirojmë të konsultohemi për këto çështje”, ka deklaruar ministri i jashtëm bullgar, Nikolaj Milkov.

Në reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut thuhet se “procesi i ndryshimeve kushtetuese është çështje e brendshme e vendit, obligim që ndërlidhet me negociatat për anëtarësim në BE”. Përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë është kusht që Maqedonia e Veriut të fillojë hapjen e kapitujve në negociatat me Bashkimin Evropian.

Ministria e Drejtësisë ka kërkuar nga të gjitha partitë politike parlamentare që të caktojnë nga një anëtar që do të jenë pjesë e grupit të punës, i cili duhet të hartojë amendamentet për ndryshimin e Kushtetutës. Bullgaria, si shtet anëtar i BE-së në vitin 2020 kishte vendosur veto ndaj nisjes së bisedimeve mes Brukselit dhe Shkupit, ndërsa këtë mund ta përsërisë edhe në procesin e mëtejmë të BE-së, nëse Maqedonia e Veriut nuk i përmbushë detyrimet nga marrëveshja me Bullgarinë që ishte arritur në qershor të vitit 2022.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb