Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski në një intervistë për Radion Evropa e Lirë nuk e përjashton mundësinë që vendi të përballet me një valë refugjatësh si rrjedhojë e krizës në Afganistan.

Presidenti Pendarovski duke folur për procesin e regjistrimit të popullsisë i cili zhvillohet pas dy dekadave thotë se kësaj radhe nuk pret që dikush nga forcat politike të synojë ta komprometoj këtë proces megjithëse numërimi, siç thotë, vetëm mbi bazë etnike duhet t’i takoj historisë.

Duke folur për zgjedhjet lokale ai ka theksuar se për demokracinë është vlerë e shtuar fakti që në këto zgjedhje garojnë më shumë lista të pavarura për këshilltarë dhe kryetar komune.

REL: President, vendi ynë është anëtar i NATO-s, mirëpo pas bllokadës nga Bullgaria për fillimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian, dëshpërimi është i madh, euro- skepticizmi është rritur edhe sipas “Ballkan Barometar”, me të cilën gjë hapet hapësira për ndikimin e Rusisë dhe Kinës… Si më tej?

Stevo Pendarovski: Mua më brengos euro-skepticizmi, që pa dyshim është në linjën përpjetë. Edhe në rajon, jo vetëm te ne. Por, mos harroni: për fat të keq, edhe rajoni i Ballkanit Perëndimor është harruar nga Bashkimi Evropian. Për shkaqe të ndryshme. Megjithatë, është harruar. Ne jemi në margjinat e agjendës evropiane. Një pjesë, për shkaqet që shtrihen në kryeqytetet këtu te ne, një pjesë për shkak se Evropa merret me vetveten, me vite, praktikisht edhe me dekada, pas atyre referendumeve të pasuksesshme për Kushtetutë të re evropiane në vitet 2004 dhe 2005; Evropa ka një agjendë politike plotësisht tjetër dhe prioritete politike plotësisht të tjera.

Ajo çka më brengos – nuk më brengos ndikimi i shteteve të tjera; ajo është e drejtë e tyre legjitime, (ato janë) interesa të tyre nacionale; dhe jo vetëm këto dy (shtete) që i përmendni – ne nuk kemi problem me atë. Kemi problem që njerëzit tanë e humbin besimin tek vlerat evropiane.

Unë dyshoj se ato vlera evropiane plotësohen me diçka tjetër, me një gamë tjetër vlerash, për shkak se, objektivisht, kjo është gama më e mirë e vlerave. Nuk besoj se ka shtet në botë, ose organizatë rajonale, që ofron gamë më të mirë vlerash.

Megjithatë, nëse kjo është ashtu, praktikisht ne hyjmë në një situatë që e kishim në vitet ’90. Nga aspekti i setit të vlerave, tek i cili besojnë gjeneratat e reja. Vlerat e vjetra që i kishim në atë ideologji dhe në atë shtet shkuan në histori, në arkivat historikë; të reja nuk formuam, ose: i hyjnë në kokë, në tru, vetëm një numri të vogël njerëzish, jo te shumica dominante. Dhe, edhe pse njerëzit sot ushqehen me setin e vlerave që nuk i takojnë civilizimit perëndimor dhe asaj kulture demokratike, ne do të kemi problem – nuk e di, tashmë nesër t’i fillojmë bisedimet me Bashkimin Evropian, ne do të kemi problem, sidomos gjeneratën e re ta bindim “kjo, e jo ajo” është vlerë evropiane.

REL: Ju thatë se Bashkësia Ekonomike Evropiane nuk mund të jetë zëvendësim për Bashkimin Evropian. Të njëjtën e thoni edhe për iniciativën “Ballkan i Hapur”. Në këtë iniciativë rajonale a shihni përpjekje për një gjë të tillë?

Stevo Pendarovski: Nuk shoh. Pyetja ime e parë drejtuar të gjithë të treve, nënshkrues dhe iniciatorë, edhe sot e kësaj dite pjesëmarrës të vetëm të asaj iniciative, pyetja ime e parë ishte: a është kjo alternativë e Bashkimit Evropian? Që të tre, thjesht, në takimet e mia të veçanta me ta, në mënyrë decide thanë: jo. Megjithatë, ajo çka…edhe në kontekst të asaj që ju e shtroni pyetjen – e përmendën disa funksionarë të lartë evropianë; ata me të vërtetë mendonin – këto iniciativa rajonale, ose Zona Ekonomike Evropiane, të jenë alternativa definitive e anëtarësisë së plotfuqishme.

Unë kam frikë, për shkak se Ballkani Perëndimor në tërësi ende është në sallën e pritjes së Bashkimit Evropian. Në tërësi. Mali i Zi dhe Serbia zhvillojnë bisedime 8, 9 vjet; pothuajse një dekadë. Fundi nuk është që duket kund. Bosnjë e Hercegovina dhe Kosova, për iks-shkaqe, janë në margjinën absolute, jo vetëm të agjendës evropiane; ato janë shtete të harruara. Ndërsa ne dhe Republika e Shqipërisë, po ashtu për shkaqe të ndryshme, por të trajtuara në paketë, jemi lënë në sallën e pritjes.

REL: Çfarë ndikimi mund të ketë, eventualisht, situata në Afganistan në pikëpamje…ndaj Ballkanit Perëndimor, në kuptimin e asaj se pritet valë e re refugjatësh?

Stevo Pendarovski: Është e mundur të presim valë refugjatësh. Jo këta që vijnë tani, të cilët janë nxjerrë përmes të ashtuajturave konvoje humanitare, në mënyrë të organizuar; ky numër është i vogël, jo vetëm te ne, përgjithësisht në botë; bëhet fjalë për disa mijëra njerëz.

Megjithatë, është e mundur…Për shkak se unë pres që ai regjim të jetë njësoj i egër, si ai më parë, para 20 viteve, që të shkaktojë valë të re refugjatësh dhe ajo të jetë mbase e ngjashme me atë çka pamë në vitin 2015 dhe 2016, kur një milion e gjysmë njerëz tranzituan nëpër territorin tonë dhe nëpër tërë këtë rajon.

REL: Me opozitën raportet i keni ngrohtë-ftohtë. Nga ana tjetër, disa dekrete të ligjeve qeveritare nuk i nënshkruat dhe për disa iniciativa thatë haptas “nuk pajtohem”, si për shembull për atë të fundit, për pragun zgjedhor për kandidatët e pavarur, që në fund nuk kaloi. E, si i keni raportet me pushtetin?

Stevo Pendarovski: Në raport me pushtetin, qëndrimi im është njësoj për ato projekte, për të cilat publikisht shpreha mospajtim dhe – mbi bazë të asaj në çka besoj; jo për t’i pëlqyer ose për të mos i pëlqyer pushtetit. Dhe, mendoj se ajo çka kohë pas kohe kam edhe tone, ose pikëpamje, qëndrime disonante, në raport me koalicionin në pushtet, që më propozoi dhe më mbështeti për President, mendoj se tregon se me të vërtetë përpiqem që – qytetarët do ta thonë atë – dhe këtë e arsyetoj që me të vërtetë të jem President mbipartiak.

REL: Nga ana tjetër, e nënshkruat Ligjin për ndërtimin e rrugëve, pa tender, ndërsa Komisioni Antikorrupsion këtë ligj e paraqiti në Gjykatën Kushtetuese, për vlerësimin e kushtetutshmërisë. Përse morët vendim dhe e nënshkruat, kur po hapen dyshime për korrupsion?

Stevo Pendarovski: E dini, së pari kompetenca ime nuk është që ta vlerësoj kushtetutshmërinë e ligjeve që i nënshkruaj. Kjo punë është vetëm e Gjykatës Kushtetuese. Do të thotë, nga ky aspekt e respektoj iniciativën e Antikorrupsionit, megjithëkëtë unë nuk kam kompetencë të tillë të them: këtë ligj nuk e nënshkruaj vetëm për atë që është antikushtetues, sipas mendimit tim. Nuk kam kompetencë të tillë. Varësisht prej asaj çka dimë unë dhe ekipi im juridik, bëhet fjalë për ligj i cili praktikisht – implementimi i tij – do të jetë në dy faza: ligji është vetëm një kornizë e përgjithshme për atë çka pason dhe për atë çka është konkretizim i Ligjit. Bëhet fjalë për një dispozitë në Ligj, e cila mua më jep të drejtën të besoj se nuk do të shkojmë në atë drejtim, të cilin e sugjeroni me pyetjen tuaj. Duhet të formohet Komiteti Negociues, i cili do t’i përcaktojë të gjitha detajet e atij projekti. Do të thotë, së pari bëhet fjalë për firma me reputacion ndërkombëtar. Njëra prej tyre është NEO TOPTEN – më e mira në botë në sferën e vet; tjetra po ashtu firmë me reputacionin më të madh.

REL: Pushteti i Nikolla Gruevskit filloi të rrëzohej pas audio-incizimeve të opozitës, ku dëgjoheshin indikacione për kriminalitet, për korrupsion, për sjellje jodemokratike. Pastaj ndodhën protestat, ju ishit në rrugë, kërkuat ndërrimin e sistemit. Tani, si president, i zgjedhur si kandidat i Lidhjes Socialdemokrate, tani në qeveri, si është përshtypja juaj: a thua mos janë harruar pak këto ideale për demokraci, transparencë dhe kundër-korrupsion?

Stevo Pendarovski: Mendoj se përdorni shprehje të mirë, precize: janë harruar pak, por nuk janë harruar krejtësisht. Dua të përmend këtu vetëm disa parametra, që i matin, që i prezantojnë organizatat ndërkombëtare, me reputacion në atë sferë: Për shembull, në pjesën e demokracisë, ose nëse doni në pjesën e lirisë së medieve, situata nuk mund të krahasohet. Absolutisht nuk mund të krahasohet me atë që kishim nga 2006-ta deri në 2016-tën. Në pjesën e ndjekjeve politike – ne në atë kohë kishim të burgosur politikë. Deri në këtë moment nuk ka raport, nga Departamenti i Shtetit, ose cilado prej organizatave ndërkombëtare, që është nga sfera: mbrojtja e të drejtave dhe lirive të njeriut, që pohon me vërtetësi se te ne ka të burgosur politikë. Do të thotë, tek qeverisja e kësaj strukture politike, nuk mund të paramendohet ngjarje e cila është inkursion i dhunshëm, me forca speciale të policisë, në televizionin më të shikuar dhe burgosje të të gjithë pronarëve nën pretekstin se nuk kanë paguar tatim e kështu me radhë e kështu me radhë.

REL: Pas pothuajse 20 viteve, përfundimisht, mbahet regjistrimi që sipas definicionit është operacion statistikor që do të duhet t’i ndihmojë shtetit për planifikim më të mirë, në aspektin ekonomik dhe social. Por, kjo në vend sikur kuptohet si rinumërim midis maqedonasve dhe shqiptarëve dhe të tjerëve. (Ky) narrativ a mund t’i bëjë varrin vetë procesit të regjistrimit?
Stevo Pendarovski: Kishte përpjekje të tilla. Unë mendoj – para se ta shtynim regjistrimin herën e kaluar. Tani ky narrativ politik, që përpiqet t’i bëjë varrin regjistrimit dhe ta paraqes vetëm dhe vetëm si rinumërim të kokave etnike, është relativisht i dobët, relativisht është dobësuar ndërkohë. Unë nuk pres që për shkak të tensioneve politike ndokush relativisht do të mund t’i komprometojë rezultatet e regjistrimit.

REL: Pas regjistrimit vijnë Zgjedhjet lokale, në tetor; rrethi i parë më 17-tin. Këto zgjedhje lokale a do të sjellin një kualitet të ri me faktin se paraqiten shumë lista të pavarura, kandidatë të pavarur për këshilltarë, po edhe për kryetarë komunash?

Stevo Pendarovski: Kjo është një – unë do t’i kisha quajtur, një prej hapave të vegjël drejt demokratizimit të shoqërisë sonë, që vetëm mund të na gëzojë. Shumëllojshmëria – vetëm mund ta pasurojnë demokracinë maqedonase. Nuk mund ta bëjnë më të keqe.

Mua më vjen mirë që ndodh kjo, edhe pse mendoj se në atë drejtim pushteti përmes veprimtarisë së vet normative në muajt dhe vitet pasuese, bashkë me opozitën, për shkak se ai legjislacion zgjedhor ndërron me konsensus të plotë, patjetër të bëjnë edhe do hapa. Për shembull, një njësi zgjedhore, pa prag e kështu me radhë – që të mundësohet që edhe subjektet më të vogla politike të mos jenë bashkëngjitje e të ashtuqajturave parti të mëdha politike, por të kenë autonominë e vet dhe, përfundimisht, (të ofrojnë) diçka të re në tregun politik./REL/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb