Zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës ishte temë diskutimi në emisionin “Open” “News 24”. Analistët e ftuar, ishin thuajse në të njëjtën linjë mendimi në këtë drejtim.

Enton Abilekaj tha se kushdo që të jetë President do të jetë sekretar i kryeministrit Edi Rama. Ai tha se shpreson që emri i zgjedhur të mos vijë nga radhët e opozitës, pasi sipas analistit, do e turpëronte atë.

“Kushdo që të shkojë për President do të jetë një njeri që do të pranojë të jetë sekretari i Ramës. Kushdo që të jetë. Unë uroj që këtë të mos e bëjë ndonjë përfaqësues i opozitës që ta turpërojë më shumë opozitën.

Rama do të zgjedhë ose një kandidaturë përçarëse për opozitën ose një figurë pa identitet dhe profil të lartë politik që të mos e bezdisë fare. Mendoj që e dyta është më e mundshme. Kushdo që të shkojë e pranojë të jetë sekretari i Ramës do të kalojë në bulevardin e turpit. Kush e merr përsipër këtë do të ketë guxim të madh, s’ia uroj askush”, tha Abilekaj.

Nga ana tjetër, analisti Artur Zheji tha se Presidenti i ri, ashtu sic ka konfirmuar kryeministri do të jetë e kundërta e Metës. Ai tha se vendi po shkon drejt diktaturës.
“Ai e ka dhënë përshkrimin që do të jetë e kundërta e Metës. Do të jetë një gjë e kundërt. Do të jetë një gjë e butë. Problemi është ndryshe. Rama është i lodhur nga respektimi i disa formaliteteve të kota.

Ai tashmë ndihet shumë herë më i fortë. Kur njeriu është i fortë shkujdeset për formën e jashtme. Ka të drejtë, me atë opozitë që është në pikë të hallit, protesta apo vullneti kundra përçohet përmes opozitarizmit. Jemi drejt një diktature që po vendoset lezetshëm”, theksoi Zheji.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb