Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla propozoi që raundi i parë i votimeve për zgjedhjen e presidentit të mbaheshin më 16 maj.

Gjatë fjalës së tij nga Konferenca e Kryetarëve, Balla tha se më 10 maj do të mbahet sërish mbledhja.

“Nëse ju do insistoni deri në fund se doni më shumë kohë dhe doni datën 10, atëherë konferenca e kryetarëve të ndërpresë punimet dhe të vazhdojë mbledhja në datën 10, vetëm në këtë rast nuk kemi kryer një shkelje. Zoti Alibeaj, po ua them se për pjesën e parë ua dhashë dakordësinë, për pjesën e dytë nuk e marr rrezikun kushtetues përsipër… afatet do jenë jo më vonë se 7 ditë dhe këtu s’ka hapësirë.”, theksoi ai.

Mes të tjerash Balla i vendosi një afat opozitës për të depozituar kandidaturat e saj për kreun e ri të shtetit, që është data 15 maj, ora 16:00. “Afat deri në datë 15, në orën 16;00, të jenë depozituar emrat dhe në datën 16 paradite, ora 10:00, të mblidhet komisioni i ligjeve për shqyrtim dhe të shkojmë në seancë plenare pasdite. Kjo është në fakt dhe tradita parlamentare. Besoj se zoti Alibeaj dhe Mediu, jemi të gjithë bashkë, është një ogur i mirë fillimi, e marrim të mirëqenë që për një propozim, të Alibeajt, gjetëm dakordësi”, pohoi ai.

Konferenca nisi rreth orës 12:30, ku të pranishëm janë kryetarët e grupeve parlamentare, PD ka kërkuar që mbledhja të zhvillohet live për mediat. Kërkesa është miratuar.

CFARË PRITET TË NDODH
Gazetari Ergys Gjençaj në një lidhje direkte për ‘News24’ tha se në këtë seancë do të ketë vendimmarrje për seancën e parë të raundit të parë dhe nuk pritet të ketë konsultime dhe negociata mes krerëve.

Kujtojmë se grupi i punës së ngritur nga maxhoranca, i përbërë nga Taulant Balla, Damian Gjinkuri dhe Elisa Spiropali, ka mbledhur propozimet e deputëtëve të PS-së të cilët kanë dorëzuar një zarf, me 3 emra kandidatësh.

Ndërkohë, në mbledhje është ftuar që të marrë pjesë edhe Enkelejd Alibeaj, në cilësinë e kreut të grupit të PD-së, edhe pse u shkarkua nga Kuvendi i 30 prillit.
Përcaktohet që deri në raundin e tretë palët mund të votojnë një emër konsensual.

Por nëse nuk ndodh kjo gjë, atëherë maxhoranca mund ta zgjedhë e vetme me 71 vota në raundin e 4-të dhe të 5-të presidentin e ri.

Po ashtu, Gjençaj tha se PS përveç propozimit të brendshëm përmes zarfeve, ka hapur dhe konsultimin me shoqërinë civile si dhe e-maili zyrtar ku priten propozimet nga qytetarët. Në fund të këtij procesi pritet të kemi dhe një përmbledhje të të gjitha emrave të kandidaturave, dhe më pas do të kalojnë në një filtër.

Në deklaratat e tij kryeministri Edi Rama ka përsëritur disa herë se maxhoranca i ka votat për të zgjedhur presidentin e ri, ndërsa ka përjashtuar mundësinë që kreu i shtetit do të jetë nga radhët e PS. Nga ana tjetër, PS është shprehur e gatshme për gjetjen e një emri konsensual me opozitën, por deri më tani gjasat janë të pakta për një emërues të përbashkët për kreun e shtetit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb