Partia Socialiste do të nisë të mërkurën konsultimet me grupet e tjera parlamentare për zgjedhjen e Presidentit të ri.

Lajmin e bëri të ditur kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili tha se ky do të jetë edhe takimi i parë për këtë çështje, duke hedhur poshtë lajmet që ka pasur takime të ngjashme më parë.

“Nesër do të jetë hapi i parë i konsultimit me grupin parlamentar të PS-së, i cili do të udhëheqë këtë proces për herë të parë në mënyrë ekskluzive. Pasnesër pasdite në orën 17:00 do të ftoj kryetarët e grupeve parlamentare që sipas mundësisë që kanë të ulemi në një nga sallat e Kuvendit për një takim të parë. Nuk kanë ndodhur takime të tjera, ai do të jetë takimi i parë. Me ata do të ndajmë mënyrën se si do të ecim në këtë proces. Për pjesën tjetër mendoj se Kushtetuta e Shqipërisë e ka shprehur qartë dhe nuk ka nevojë për referendum. Kjo është hera e parë që në Shqipëri i kërkohen propozime konkrete qytetarëve”, tha Balla.

Ai u shpreh se konsultimet do të zhvillohen me grupin parlamentar të PD-së, duke shpjeguar edhe pse nuk do të ketë negociata me grupin e ish kryeministrit Berisha.

“Konsultimet gjithmonë janë zhvilluar brenda Kuvendit të Shqipërisë. Nuk di që në Kuvend të ketë një grup parlamentar me emrin Komisioni i Rithemelimit. Nëse do kishte një grup të tillë, do të ishte një grup i pestë, por nuk e njoh”, u shpreh më tej Balla.

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb