Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe ai i Taxhikistanit, Emomali Rakhmon, në një bisedë telefonike kanë diskutuar situatën në Afganistan.

Kremlini njoftoi se të dy liderët folët për “situatën e vështirë në kufirin Taxhikistan-Afganistan, të shkaktuar nga përshkallëzimi i konfrontimit të armatosur në territorin e Afganistanit”.

“Putin konfirmoi gatishmërinë e tij për t’i siguruar Taxhikistanit mbështetjen e nevojshme si bilaterale ashtu edhe brenda kornizës së Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive”, thuhet në njoftimin e Kremlinit.

Në një deklaratë tjetër, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se situata në Afganistan “nuk po zhvillohet mirë”. Ai theksoi se rojet kufitare ruse po ndjekin zhvillimet dhe do të marrin vendimet e nevojshme në varësi të gjendjes së punëve.

Megjithatë, tha Peskov, nuk po zhvillohet asnjë bisedë me qeverinë afgane në lidhje me vendosjen e mundshme të trupave ruse në Afganistan.

Sot, talebanët pretenduan se kanë pushtuar edhe disa rrethe të tjera në provincën veriore Badakhshan.

Zyrtarët afganë akoma nuk e kanë komentuar pretendimin e kryengritësve, ndërkohë administrata lokale tha se njësitë speciale ushtarake janë vendosur në provincë për të tërhequr mbrapa talebanët.

Në një njoftim tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Afganistanit tha se gjatë ditës së kaluar 143 kryengritës talebanë u vranë në operacionet e kryera në të gjithë vendin.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb