Barazimi në Korçë ka shtuar entuziazmin në kampin durrsak, pasi t’u marrësh pikë 6 herë kampionëve radhazi të Superiores nuk është pak. Një fakt të tillë e ka të qartë vetë Edmond Hasanbelliu, i cili për “Panorama Sport” rrëfen se për këtë motiv ka akorduar edhe një premio për ekipin.

Gjatë deklaratës së dhënë, numri një i klubit ka analizuar ecurinë e skuadrës së tij, merkaton e bërë, problemin me golin, por jo vetëm. Ai është ndalur edhe te “zhurma” e aleancave. Presidenti thekson se nuk i interesojnë akuzat e të tjerëve, pasi Teuta e tij lufton e vetme dhe vetëm në fushë. “Jam i kënaqur me ecurinë e ekipit, në këtë fazë ka treguar shpirt gare dhe do të fitojë. Prurjet e janarit Markoviç dhe Progni, së bashku me grupin ekzistues, bënë që skuadra të ndryshojë mentalitet, por dhe fytyrë, ndërsa kemi zhvilluar takime të mira. Gjithashtu me ekipin në tërësi jam i kënaqur, por që skuadra jonë ka një problem me finalizimin, pra pres më shumë nga sulmi. Duhet më shumë qartësi para portës. Kjo do të thotë më shumë gola dhe më shumë pikë për Teutën”, u shpreh fillimisht Hasanbelliu.

Aleancat
Akuzat dhe aleancat nuk e shqetësojnë aspak, madje e thotë hapur se skuadra e tij është e vetme dhe synon vetëm që t’i largohet fundit. “Kam dëgjuar rreth akuzave për tolerime apo aleanca, por dua të theksoj që Teuta nuk bëhet dhe nuk është palë. Ekipi ynë është palë vetëm me veten dhe do të luftojmë në fushën e blertë për t’u larguar nga vendet e fundit. Me rezultatet e marra jemi afër vendit të katërt, por kemi dhe synime të qarta në Kupë, prandaj ne shikojmë rrugën tonë drejt atyre objektivave që i kemi vendosur vetes. Ndaj nuk merrem me çfarë thonë apo aludojnë ekipet e tjera”, u shpreh ai.

Shpërblimi
Presidenti ka mbetur i kënaqur nga paraqitja e ekipit në Korçë, ndaj ka premtuar edhe shpërblim, ndonëse shifrat mbetet “mister”. “Ndeshja kundër Skënderbeut është për t’u vlerësuar. Djemtë luajtën mirë dhe morëm një pikë në shtëpinë e ekipit kampion, që janë një nga kundërshtarët më në formë të fazës së tretë. Skënderbeu dhe Teuta, të paktën në pesë vitet e fundit, kanë prodhuar futboll të bukur dhe me rivalitet. I kemi mundur apo kemi barazuar në shtëpinë e tyre, ashtu siç na kanë mundur dhe në Durrës. Pra, kur ndeshen këto skuadra, loja e bukur dhe e fortë është e pashmangshme. Ekipit i kisha premtuar një premio për rezultat pozitiv dhe e meritojnë për barazimin e marrë”, shtoi presidenti, duke vlerësuar pikën e marrë në stadiumin “Skënderbeu”.

Finalet
Hasanbelliu foli edhe për takimin e radhës, ndërsa evidentoi se javët e mbetura janë të gjitha finale. “Ndeshja e radhës është një test tjetër për ekipin tonë, nuk dua që pas barazimit të marrë në Korçë ekipi të kalojë në vetëkënaqësi. Këtë do mundohemi ta parandalojmë. Nuk dua të përsëritet rasti i Korabit, zhvilluam një takim të mirë në Vlorë, ku dhe fituam. Ndërsa në Durrës me Korabin nuk luajtëm njësoj. Euforia s’duhet të ketë vend te Teuta.

Pavarësisht rezultatit, skuadra bën vetëm detyrën e vet. Duhet ta shikojmë çdo ndeshje si finale dhe në fund të bëjmë llogaritë tona, por siç e theksova, për momentin, duhet të largohemi nga fundi dhe, më pas, të bëjmë llogari. Duhet shumë punë dhe besim, aspak eufori, pasi kjo do t’i bënte shumë dëm ekipit”, përfundoi numri një i klubit durrsak./panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: