TIRANË

Analisti Agron Gjekmarkaj tha se Presidenti i Republikës është i vetmi institucion që nuk është pushtuar nga qeveria. Në “Real Story” në News24, duke iu referuar situatës politike dhe akuzave të Presidentit Ilir Meta, Gjekmarkaj tha se po shndërrohet në një lojë force por se Presidenti po bën një luftë frontale të dobishme pasi është guri i vetëm institucional që ka ngelur.

Ai bëri dhe një akuzë të fortë për të zgjedhur në sistemin e drejtësisë, për të cilët tha se janë zgjedhur të gjithë me përkatësi ideologjike të pastra të majta, me paraardhës komunistë.

“Ai vërtetë po mbrohet por duke u mbrojtur po mbron. Secili prej nesh, kur flasim përdorim konceptin kushtetutë dhe ligj biem në aberracion. Këtu ka shkuar puna çomange për çomange, po shndërrohet në një lojë force. Presidenti ka mbetur i vetmi institucion i cili nuk është i pushtuar nga qeveria, nga kryeministri. Supozojmë se opozita dhe Presidenti janë anormalë, janë çmendur por në qoftë se kryeministri, maxhoranca janë kaq të dhënë pas standardeve, demokracisë, pas lirisë sillen në një mënyrë tjetër. Përkundrazi ata shohin terren bosh dhe shtrijnë duar, po marrin gjithçka. Po marrin drejtësinë, 90% e tyre vijnë nga zona e parë operative, e kanë pasur gjyshin o komisar brigade o batalioni, ka një përzgjedhje ideologjike, hyju biografive dhe shiko si i kanë pasur të gjithë gjyshërit në Ministri të Brendshme ose në degë të brendshme, ose në korpuse armate, ose i kanë shërbyer Enver Hoxhës në Bllok. Është bërë përzgjedhje e pastër ideologjike. Këta e kanë krijuar dinastinë blu, gjakun blu të kuq, këta i kanë përzgjedhur mirë. Duket si metaforë folklorike por i kanë përzgjedhur mirë. E vërteta nuk ka ngjyrë, nuk ka bindje, e vërteta është kjo. Bëj një kërkim si do të dalin njerëzit që ke në sistemin e drejtësisë nga kupola e deri poshtë. Ata që kanë kaluar vettingun, mënyrë se si janë përzgjedhur, i ke të gjithë në skaner ideologjik. Përkatësia e tyre e majtë është e certifikuar. Kjo që bën Ilir Meta edhe mua më duket pak aventuresk që presidenti thërret një miting, që presidenti aludon që mund të shpërndarë parlamentin por e thashë kushtetuta ka rënë në vetvete, nuk zbatohet më nga askush. E kanë rrëzuar Kushtetutën. Por çështja është kush do ta mbrojë lirinë. Nuk e di se çfarë mendon ai për demokracinë por sot në pozicionin e presidenti të republikës ai po bën një betejë frontale shpesh herë edhe me nota folklorike por në tërësinë e vet të dobishme pasi është guri i vetëm institucional që ka ngelur pa u rrafshuar në ngrehinën e shtetit. Shteti ka rënë”, deklaroi Gjekmarkaj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb