Alban Xhaferri, Presidenti i Vllaznisë është ndalur për mediat para ndeshjes me Erzenin.

“Kampionati ka shumë rivalitet dhe tabela e klasifikimit ndryshon javë pas jave. Kampionati është i bukur, ka garë dhe duhet të jemi krenar për këtë kampionat. Kemi pasur suksese, pasi kemi fituar 2 Kupa dhe jemi paraqitur mirë në Europë. Të shpresojmë që tani të marrim edhe titullin e shumëpritur, por e theksoj që është një kampionat shumë i bukur, i luftuar dhe diferencat mes skuadrave janë me të vërtetë të vogla.

Gjithmonë Vllaznia kundër skuadrave të kryeqytetit ka luajtur mirë dhe ka rivalizuar, duke marrë rezultate nga më të ndryshme. Nuk është se i nënvlerësojmë kundërshtarët e tjerë, por nuk kemi arritur rezultat edhe për shkak të mungesave. Duhet të jemi gjithmonë të karikuar në maksimum dhe të synojmë më të mirë në çdo ndeshje, pa parë emrin e kundërshtarit.

Si duket kjo Vllazni? Të jesh presidenti i Vllaznisë është përgjegjësi dhe një gjë e bukur. Futbolli në Shkodër ka një emocion të jashtëzakonshëm dhe ne do të mundohemi që të plotësojmë pritshmëritë e tyre.

Merkato? Nuk besoj se do të ketë lëvizje të tjera në merkato, pasi kemi afruar Balajn në sulm dhe presim që të rikthehen lojtarët e dëmtuar, si Latifi.

Një gol nga Balaj sot? E presim dhe uroj që ta justifikojë veten sot që luan si titullar. Dua të përgëzoj edhe Erzenin, që ka bërë një paraqitje shumë të mirë në kampionat dhe meriton vendin që ka në renditje. E përgëzoj kundërshtarin, por shpresoj që të fitojë Vllaznia këtë takim” – Tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: