Presidenti iranian Hassan Rouhani të shtunën u bëri thirrje myslimanëve, përfshirë banorët e Arabisë Saudite, që është vendi rajonal rival me Teheranin, që t’i kundërvihen Shteteve të Bashkuara. Zoti Rouhani po ashtu e cilësoi Izraelin “një regjim i rremë”, i krijuar nga Perëndimi dhe e krahasoi krijimin e shtetit hebraik pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, “një tumor kanceroz në rajon.”

Duke folur në Konferencën Vjetore Islamike në Teheran, zoti Rouhani tha se SHBA duan ta skllavërojnë Lindjen e Mesme. Ai tha se vendet rajonale myslimane duhet të ndalojnë “t’u shtrojnë tapetin e kuq kriminelëve” një kritikë e kuptueshme ndaj Arabisë Saudite dhe vendeve të tjera rajonale me lidhje të afërta me Shtetet e Bashkuara.

Irani, me shumicë myslimanë shiitë dhe Arabia Saudite, nën udhëheqjen e një mbreti suni, shpesh janë në anë të kundërt të konflikteve në Lindjen e Mesme. Irani mbështet rebelët Houthi në luftën civile në Jemen, ndërsa Arabia Saudite udhëheq një numër vendesh suni që mbështesin qeverinë e Jemenit.

Të dy vendet nuk kanë marrëdhënie diplomatike që prej rreth tre vjetësh, pas ekzekutimit nga Irani të një kleriku shiit.

Megjithë këto mosmarrëveshje, presidenti iranian Rouhani tha se Irani i konsideron sauditët vëllezër.
SHBA janë bërë shpesh objektiv i retorikës së ashpër të ushëheqësve të Iranit, që pas revolucionit iranian të vitit 1979, që përmbysi shahun e mbështetur nga amerikanët. Por vendimi i Presidentit Donald Trump në fillim të vitit për t’u tërhequr nga marrëveshja bërthamore me Iranin dhe rivendosjen e disa sanksioneve ndaj Iranit, që u hoqën pas marrëveshjes së vitit 2015 mes Iranit dhe fuqive botërore, i ka keqësuar më tej tensionet mes të dy vendeve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb