Presidenti i SHBA Joe Biden “ripohoi” se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë Turqinë pas një tërmeti të fundit dhe “shprehu ngushëllime në emër të popullit amerikan” kur foli me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan të hënën.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, Biden tha se SHBA-ja ishte e gatshme të “siguronte të gjithë ndihmën e nevojshme për aleatin tonë të NATO-s, Turqinë, në përgjigje të kësaj tragjedie”. “Presidenti Biden shprehu ngushëllimet në emër të popullit amerikan për ata që u plagosën ose humbën të dashurit në tërmetet”.

“Ai vuri në dukje se ekipet amerikane po vendosen me shpejtësi për të mbështetur përpjekjet turke të kërkim-shpëtimit dhe për të koordinuar ndihma të tjera që mund të kërkohen nga njerëzit e prekur nga tërmetet, duke përfshirë shërbimet shëndetësore ose sendet bazë të ndihmës” .

Ambasadori i SHBA-së në Turqi, Jeff Flake tha të hënën se dy njësi amerikane të kërkim-shpëtimit do të dërgohen në Turqi.

Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, Samantha Power tha në një deklaratë se këto do të jenë ekipe të Kërkimit dhe Shpëtimit Urban të USAID-it nga Departamenti i Zjarrfikësve të Kontesë Fairfax, Virxhinia dhe Los Angeles County, Kaliforni.

Power tha se agjencia ka vendosur tashmë një Ekip të Reagimit të Asistencës ndaj Fatkeqësive, i cili po “vlerëson situatën, identifikon nevojat prioritare humanitare dhe punon për të ofruar kërkim dhe shpëtim”, thuhet në deklaratë.

Dy ekipet shtesë të USAID-it në rrugë do të bashkërendohen me autoritetet në Turqi dhe “organizatat e tjera reaguese për të ofruar ndihmë për shpëtimin e jetës”, tha Power në deklaratë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb