TIRANË

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka zhvilluar homazhe sot në Ditën e Dëshmorëve duke vendosur kurora me lule te monumenti “Nëna Shqipëri”.

Homazhe janë zhvilluar dhe nga përfaqësues të maxhorancës. Kryetarja e Parlamentit Lindita Nikolla, zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj kanë vendosur kurora me lule te “Nëna Shqipëri” në nderim të Dëshmorëve të Atdheut që dhanë jetën për lirinë e tij. Kryeministri Edi Rama ka munguar në këtë ceremoni, pasi ndodhet në Poloni për konferencën e donatorëve për Ukrainën.


“Është një ditë jo vetëm për të nderuar sakrificat e tyre sublime, por një ditë reflektimi për t’i patur të shenjta sovranitetin e atdheut, për një të ardhme të mirë për të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë”, tha Meta.


“Në këtë ditë të shënuar përkujtimi dhe nderimi ndaj Dëshmorëve të Atdheut, u përula me mirënjohje dhe respektin më të thellë para heroizmit dhe sakrificave më sublimeve të mijëra bijve dhe bijave më të mirë të Shqipërisë, që dhanë jetën për liri. Sot është një ditë reflektimi dhe angazhimi, për të pasur gjithmonë të shenjta, sovranitetin, lirinë dhe pavarësinë e Atdheut dhe për një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët, e sidomos për të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë”, shkruan Meta në Facebook.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb