TIRANE- Presidenti i vendit Ilir Meta në prag të Krishtlindjeve i bën “dhuratë” shtetësinë shqiptare Kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Anastas Janullatos.

Dy ditë më parë, në një intervistë për një televizion grek Janullatos tha se pasardhësi i tij do të jetë shqiptar.

“E imagjinoni ne të kishim një gjë të tillë, a do të pranonim për shumë vite dikë nga Bullgaria apo nga Serbia në krye të Kishës? Jo, unë e quaj tepër të logjikshme që pasardhësi do të jetë shqiptar. Ne nuk shkuam atje të krijojmë një koloni. Shkuam të krijojmë një Kishë Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë”, – tha Janullatos.

Vetëm pak ditë pas kësaj deklarate, sipas burimeve pranë Institucionit të Presidencës mësohet se Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka vendosur t’i japë shtetësinë shqiptare Kryepeshkopit Janullatos, i cili është në krye të Kishës Ortodokse të Shqipërisë prej 25 vitesh. Burimet bëjnë me dije se Presidenti Meta e ka firmosur tashmë dekretin.
dekretidekreti

Me anë të një statusi në Facebook, edhe Presidenti Meta njofton se ka firmosur vendimin që Janullatus të marrë shtetësinë shqiptare.

Te dashur miq,
Në vigjilje të Krishtlindjeve, kam kënaqësinë të bëj publik vendimin tim për t’i dhënë shtetësinë shqiptare Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Anastas Jannullatos.

Kontributi dhe përkushtimi i tij në 25 vite i ka shërbyer jo vetëm ringritjes kanonike dhe shpirtërore të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe arsimimit e përgatitjes së brezit të ri të klerikëve shqiptarë por edhe afirmimit ndërkombëtar dhe njohjes së Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë kudo në botë.

Fortlumturia e Tij ka dhënë, në bashkëpunim të ngushtë me udhëheqësit e tjerë të besimeve fetare në Shqipëri, një kontribut të jashtëzakonshëm në forcimin e harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës ndër-fetare, kësaj pasurie kombëtare të popullit tonë.

Bekuar qoftë harmonia dhe bashkëjetesa fetare mes shqiptarëve“,- sqaron Presidenti.
vigjilje
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb