TIRANE– Presidenti i Republikës, Ilir Meta i ka dhënë titullin e merituar ‘Mjeshtër i Madh’ profesorit Aleks Luarasi për kontributin e çmuar shumë vjeçar si jurist dhe pedagog në mirënjohje të rolit dhe përkushtimit të tij për formimin dhe konsolidimin e sistemit modern universitar në vendin tonë.

Meta, Luarasi

Në ceremoninë e mbajtur në ambientet e Kolegjit Universitar ‘Luarasi’, Meta vlerësoi figurën e Alkes Luarasit, i cili është  themeluesi i një prej universiteteve më të mira private në Shqipëri, Universitetit ‘Luarasi’.

Meta-Luarasi (3)

“Kam kënaqësinë dhe privilegjin që sot në këtë ceremoni dekorimi të nderojmë dhe t’i akordoj Prof. Aleks Luarasit, Titullin e merituar prej kohësh – ‘Mjeshtër i Madh’. Kemi ardhur në Universitetin që ai krijoi, për ta bërë më domethënës këtë moment vlerësimi të tij, dhe njëkohësisht për të ndarë këtë kënaqësi me shumë personalitete, kolegë dhe studentë të Profesorit! Prof. Luarasi është mishërimi më i gjallë dhe kuptimplotë i vlerave arsimdashëse dhe intelektuale të shoqërisë dhe kombit tonë. Kontributi i tij është mjaft i spikatur në fushën e jurisprudencës dhe mendimit bashkëkohor juridik, në jetën akademike, në institucionet qeverisëse, në forumet ndërkombëtare dhe në shumë angazhime të tjera profesionale me rëndësi madhore në proceset demokratizuese në vend.

Meta-Luarasi (2)

Profesori me urtësinë, mençurinë, vullnetin, dhe vizionin e tij mbetet një nga pionierët e guximshëm në modernizimin e sistemit arsimor në Shqipëri, duke hedhur themelet e para në sistemin e arsimit jo-publik, me hapjen e kolegjit Universitar Luarasi. Profesor Luarasi ishte ndër të parët që kuptoi rëndësinë e investimit të vazhdueshëm në arsimin e lartë universitar, duke e parë atë si një ‘të mirë publike’ ku bashkarisht sektori publik dhe privat mund të kontribuonin dhe konkurronin së bashku, në shërbim të arsimit më cilësor.

Meta-Luarasi (4)

Pavarësisht se Prof. Luarasi themeloi një nga universitetet jo-publike me më shumë reputacion dhe vlerësim akademik në Shqipëri, ai vetë është produkt intelektual i Universitetit Publik, ku mbi 30 vite të karrierës së tij të suksesshme ja ka dedikuar auditorit të Fakultetit të Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës. Prandaj, gjykoj se arsimi universitar publik dhe jo-publik duhet të krijojnë sinergji bashkëpunimi në përgatitjen akademike dhe profesionale të studentëve për t’ju përgjigjur sa më mirë aspiratave të shoqërisë, reformave të shtetit dhe kërkesave të tregut të punës.

Performanca dhe niveli i arsimimit dhe edukimit të brezit të sotëm është tregues i progresit së gjithë shoqërisë në të ardhmen. Krahas mbështetjes së iniciativave dhe investimeve private në fushën e arsimit jo-publik, apeli im sot shkon për një angazhim më serioz për rimëkëmbjen infrastrukturore dhe përmirësimin e cilësisë së edukimit në universitetet tona publike, ku dhe shumica e të rinjve ndjekin studimet e tyre.

Meta-Luarasi (5)

Është tepër shqetësues fakti që universitetet tona publike, përveç problemeve të menaxhimit të brendshëm akademik dhe administrativ, mbeten prapa në procesin e akreditimit në raport me universitet jo-publike. Duhet bërë çdo përpjekje për të reformuar rrënjësisht universitetet publike dhe për të rikthyer prestigjin dhe vlerësimin që meritojnë. Të dashur miq, roli i Profesor Aleks Luarasit, si një nga ikonat e jurisprudencës shqiptare, nuk vlerësohet vetëm në proceset e brendshme shtetformuese, por edhe në angazhimin e tij dinjitoz në përfaqësimin e Shqipërisë në institucionet ndërkombëtare, duke qenë edhe përfaqësuesi i parë i Shqipërisë në Komisionin e Venecias. E kam të vështirë që brenda një fjalimi të shkurtër të pëmbledh të gjithë dimensionet dhe kontributin intelektual, akademik dhe patriotik të jetës dhe veprës së Prof. Luarasit.

Meta-Luarasi (1)

Megjithatë, besoj se mbi gjithçka dhe mbi çdo Titull apo Dekoratë, ajo çfarë ne sot duhet të vlerësojmë dhe për të cilën duhet të jemi krenar, është trashëgimia e paçmueshme e vlerave, idealeve dhe dijeve që Profesori ua ka përcjellë studentëve dhe brezit tonë të ri. Sot më shumë se kurrë, në botën tonë të globalizuar, ku sfidat dhe oportunitetet nuk njohin kufijtë kombëtar, rinia shqiptare ka nevojë për modele frymëzimi për të ndërtuar të ardhmen e saj evropiane, këtu në Shqipëri. Prof. Luarasi e di më mirë se kushdo tjetër se suksesi në jetë nuk arrihet lehtë, por vetëm përmes vendosmërisë, përkushtimit dhe punës. Është obligimi ynë, i elitës politike dhe shoqërisë shqiptare që të inkurajojmë dhe promovojmë sa më shumë angazhimin aktiv në jetën publike dhe në qeverisjen e vendit të personaliteteve më të spikatura intelektuale, akademike dhe profesionale. Në mbyllje, dëshiroj të falënderoj të githë të ftuarit, kolegët, familjarët dhe miqtë e Profesorit që na nderuan në këtë ceremoni dekorimi!”- tha Meta.

WhatsApp Image 2018-06-18 at 14.48.09

Themeluesi i Universitetit Luarasi, Aleks Luarasi falënderoi Presidentin Ilir Meta, presidentin e Hysenbelliu Group, Irfan Hysenbelliu, rektorin Ethem Ruka, stafin akademik por edhe studentët. Ai tha se Universiteti Luarasi ka arritur një stad shumë të lartë dhe kjo është meritë e stafit akademik dhe gjithë bashkëpunëtorëve.

“Dëshiroj të falënderoj për këtë vlerësim përmbyllës të jetës sime të gjatë në radhë të parë Presidentin e Republikës Ilir Meta, qoftë për dekorimin, qoftë për motivacionin dhe qoftë për vlerësimin e lartë të veprimtarisë sime. Dëshiroj të falënderoj zotin Irfan Hysenbelliu, Presidentin e grupit me të njëjtin emër sepse atë krijesë që krijova unë, ai e mori, e zgjeroi më tej, e zhvilloi më tej dhe sot qëndron në ballë të universitetit, në saj të besimit, të akreditimit dhe punës së gjithanshme. Dëshiroj të vlerësoj stafin e Universitetit Luarasi, në mënyrë të veçantë rektorin Ethem Ruka për mbarëvajtjen e kësaj shkolle. Shkolla ka arritur një stad shumë të lartë dhe kjo është meritë e stafit akademik dhe gjithë bashkëpunëtorëve. Dëshiroj të falënderoj së fundi nga radha të gjithë studentët, ata që kanë përfunduar dhe janë në vijim të procesit sepse na kanë nderuar, edhe në planin e brendshëm. Njeriu duhet të zgjedhë atë rrugë që ka më shumë pasion e dashuri”, deklaroi profesor Aleks Luarasi.

aleks luarasi

Ndërkohë gjatë fjalës së tij, rektori i Universitetin ‘Luarasi’ Ethem Ruka tha se Universiteti ‘Luarasi’ është rritur dita ditës dhe sot është një nga 4 institucionet e arsimit më të mira në Shqipëri. Ai falënderoi edhe presidentin e ‘Hysenbelliu Group’ që e ka parë këtë Universitet si institucion që transmeton vlera.

meta te luarasi

“Kolegji është themeluar në vitin 2003 dhe u rrit nga dita në ditë. Sot kemi një institucion të arsimit të lartë që është një nga katër shkollat e larta më të mira të vendit. Shpresojmë që vitin tjetër të hapim shkollën doktorale. Është kënaqësi që ju kemi mes nesh, sepse sot ne dekorojmë Aleks Luarasin, i cili është një burrë i urtë dhe i mençur. Ai është kryetar i bordit ‘Luarasi’. Falënderoj dhe presidentin e ‘Hysenbelliu Group’ që e ka parë këtë institucion si institucion që mbart vlera”- tha rektori i Universitetit ‘Luarasi’.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: