KAMEZ

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ishte sot në Bashkinë e Kamzës për seancën e radhës të fushatës ndërgjegjësuese të dhurimit të gjakut. I pritur nga Kryetari i Bashkisë, z.Xhelal Mziu dhe përfaqësuesit vendorë, Presidenti Meta përuroi rrugën “Ismail Qemali” në nder dhe kujtim të 100-vjetorit të ndarjes nga jeta të atdhetarit që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë dhe themeloi shtetin modern shqiptar.

Në kuadër të nismës së ndërmarrë së bashku me “Aleancën për Dhurimin e Gjakut”, Presidenti Meta shprehu kënaqësinë lidhur me seancën e dhurimit të gjakut dhe falënderoi kryebashkiakun Mziu dhe qytetarët e Kamzës, të cilët iu përgjigjën me dëshirë apelit dhe thirrjes ndërgjësuese dhe humaniste.

“Kjo seancë e dhurimit të gjakut ishte e shkëlqyer, përsa i takon pjesëmarrjes dhe kontributit.

Ishte një suprizë mjaft e këndshme për mua që kjo vizitë e sotme të lidhej edhe me vendosjen, të njërës prej rrugëve kryesore të Bashkisë së Kamzës, të emrit të atdhetarit të madh, themeluesit të shtetit modern shqiptar, Ismail Qemalit, me rastin e 100-vjetorit të kalimit të tij në përjetësi.

Duke u përulur me nderim dhe duke nderuar gjithmonë figura të tilla që kanë bërë kaq shumë për shtetin dhe për kombin tonë, ne përçojmë mesazhin e forcimit të shtetit dhe vendosjes së interesit kombëtar mbi gjithçka tjetër.

“Gjithashtu jam i lumtur që Bashkia Kamëz ka shfrytëzuar shumë mirë mundësinë e jashtëzakonshme që kanë aq shumë të rinj e të reja për t’i orientuar në fushën e sportit dhe mendoj se ky është një shembull i shkëlqyer për të gjitha bashkitë e tjera.” – theksoi Presidenti Meta.

Kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu, duke vënë në dukje se kjo është vizita e parë e një Presidenti Republike në këtë bashki, falënderoi Presidenti Meta për nismën e ndërmarrë në kuadër të “Aleancës për Dhurimin e Gjakut”, duke i ftuar qytetarët që t’i bashkohen kësaj kauze humane.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb