TIRANË

Presidenti i Republikës Ilir Meta deklaroi mbrëmjen e sotme në “Open” në News24 se do të ishte absurditet dhe për më tepër as etike të merrte më shumë kohë për lirimin e Bajram Begajt nga detyra si Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, për t’i hapur rrugën zgjedhjes së tij si Kreu i ri i Shtetit.

“Mund të merrja kohë në një rast tjetër, por të marrësh kohë për një kandidat i cili është shefi i Shtabit të Përgjithshëm, të cilin e kisha dekretuar më parë dhe i plotëson të gjitha kushtet, për një detyrë të tillë, ishte një absurditet dhe në fund të fundit nuk do të ishte as etike, sepse bëhej fjalë për pasuesin tim”, tha Meta.

I pyetur për zgjedhjet e 2019-ës të shtyra me dekret pas kthimit të Presidentit nga Gjermania, Meta shpjegoi:

“Çështja e dekretit për zgjedhjet e qershorit në atë kohë, kishte të bënte me një dakordësim që ishte arritur më parë për datën e zgjedhjeve mes forcave politike. Unë nuk doja të bëja një veprim të tillë pa ia bërë të ditur paraprakisht mazhorancës. Në atë rast kisha zgjedhur t’ia bëja të ditur z. Ruçi Kryetarit të Parlamentit, i cili nuk qëlloi atë ditë në Tiranë. Nuk kemi të bëjmë me të njëjtin rast. Nuk është se në Stamboll u dekretua presidenti i ardhshëm. Është një ushtrim i një kompetence”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb