LONDËR – Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka ftuar parinë e Britanisë së Madhe në Londër, duke nisur që nga Familja Mbretërore e gjithsecilin pre j 700 anëtarëve të Shoqatës së Njerëzve të Lirë: “të shndërroheni në Çajld Haroldët e së ardhmes dhe të zbuloni vendin tim”.

Këtë ftesë, Nishani e ka bërë në Banketin Vjetor të kësaj shoqate, në të cilën ishte i ftuar nderi sëbashku me Zonjën e Parë, Odeta Nishanin.

Në fjalën e hapjes, Nishani bëri një përmbledhje të marrëdhënieve të hershme shqiptaro-britanike dhe të mbështetjes që kurdoherë i është dhënë Shqipërisë nga Britania e Madhe.

“Është një kënaqësi e madhe për mua të marr pjesë në Banketin vjetor të Shoqatës së Njerëzve të Lirë të Londrës, – tha Nishani, – që është një ngjarje shumë e rëndësishme. Dëshiroj të falënderoj Mjeshtrin dhe Oborrin e Shoqatës së Njerëzve të Lirë të Qytetit të Londrës për ftesën e këndshmejetër.

Ndihem veçanërisht i kënaqur të përfaqësoj vendin tim, Shqipërinë dhe popullin tim në zemrën e qendrës udhëheqëse globale financiare dhe në prani të Lordit Madhor dhe shpurës së tij.

Unë jam President i një vendi krenar dhe të lashtë. Që nga ditët e hershme të Rilindjes evropiane, Shqipëria ka qenë një përzierje ekzotike me histori të lashtë dhe kulturë të hershme njerëzore të ngjyrosur me bukuri natyrore dhe personazhe të forta njerëzore, të cilët u faleshin perëndive dhe perëndeshave të natyrës dhe i luteshin ‘Besës’ – virtytit që i ka karakterizuar shqiptarët që nga kohët e lashta e deri më sot.

Ne ishim një lloj aq i veçantë në Evropë saqë vetëm disa shkrimtarë dhe poetë si Lordi Bajron, Eduard Lear, Benjamin Disraeli, Edith Durham dhe disa artistë të tjerë, shumica e të cilëve qëlluan britanikë nga gjaku dhe virtytet, ia dolën mbanë që të vizitonin dhe të linin pas shkrimet dhe përshtypjet e tyre për Tokën e Shqipeve, për kulturën dhe traditat tona.

Në vitin 1990, kur ra Perdja e Hekurt që ndante bllokun lindor nga Evropa, Shqipëria ishte e fundit që fitoi lirinë. Pikërisht në atë kohë, ish-Kryeministrja e ndjerë Baronesha Theçer dhe disa anëtarë të nderuar të Dhomës së Ulët, u përfshinë drejtpërdrejt në shpëtimin e Shqipërisë prej regjimit komunist dhe bënë të mundur që ne t’i bashkëngjiteshim botës perëndimore.

Në saje tuajën, Mbretërisë së Bashkuar dhe aleatëve tanë tradicionalë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shqiptarët në Kosovë u shpëtuan nga gjenocidi më i keq i kohëve moderne pas Holokaustit. Kosova është sot një shtet i lirë dhe i pavarur dhe Ballkani ka gjetur më në fund paqen, dhe Shqipëria është një mbështetëse e fuqishme e stabilitetit dhe begatisë së rajonit.

Shpresoj që edhe Lordi Madhor do të na vizitojë duke çimentuar marrëdhëniet tona.

Sonte mbajta këtë fjalim të shkurtër, për të cilin shumë prej jush mund të mendojnë se është një leksion historie, por ka vende dhe popuj nëpër botë, historia e të cilëve e ka tejkaluar famën dhe kulturën e tyre. Kjo është Shqipëria dhe këta janë shqiptarët,” – ka theksuar Presidenti i Shqipërisë në përfundim.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb