BULLGARI- Kreu i Shtetit Bujar Nishani, ka marrë pjesë sot në ceremonitë shtetërore të homazheve që u organizuan për ndarjen nga jeta të ish-Presidentit të parë jo komunist të Bullgarisë, Zhelju Zhelev.

Në nderim dhe respekt të tij, Presidenti Nishani vendosi një kurorë me lule me dedikim të posaçëm, si dhe i shprehu ngushëllimet në emër të tij dhe të popullit shqiptar familjarëve të Presidentit Zhelev, Presidentit bullgar Plevneliev dhe popullit mik bullgar.

Në mesazhin e tij në librin e ngushëllimeve Presidenti Nishani vlerësoi rolin e madh të Presidentit Zhelev jo vetëm për ndryshimet demokratike në Bullgari, por edhe në të gjitha vendet e Ballkanit. “Presidenti Zhelev u bë një simbol i spikatur në rajonin e Ballkanit përmes rolit të tij aktiv për paqen, stabilitetin dhe demokratizimin e rajonit, si dhe të nxitjes së marrëdhënieve të mira mes fqinjëve”, u shpreh Kreu i Shtetit.

Mesazhin e tij të ngushëllimit dhe vlerësimet e tij për Presidentin Zhelev, Presidenti Nishani i transmetoi edhe përmes Radios Kombëtare të Bullgarisë (BNR). Në homazhe morën pjesë Kryetarë Shtetesh, si dhe personalitete të larta nga vendet e Evropës Juglindore.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb