TIRANË- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani uron besimtarët myslimanë me rastin e festës së Fiter Bajramit. Në mesazhin dërguar Kreu i Shtetit shprehet se Fiter Bajrami vjen menjëherë pas muajit të madhërishëm të Ramazanit, periudhë kur besimtarët kanë sakrifikuar duke u përpjekur të ripërtërijnë vlerat më të mira shpirtërore dhe njerëzore. Ai tha se kjo ditë shërben për të qenë afër familjes por edhe për tu përpjekur për ta bërë botën më të paqtë dhe me të mirë.

“Të dashur motra e vëllezër myslimanë shqiptarë kudo që ndodheni! Është një kënaqësi e madhe dhe privilegj për mua, që në cilësinë e Kryetarit të Shtetit t’ju uroj nga zemra: Gëzuar Festën e Fiter Bajramit!

Fiter Bajrami apo siç e kemi zakon ne shqiptarët ta quajmë, Bajrami i Madh, troket në dyert dhe vatrat tona familjare menjëherë pas Muajit të madhërishëm të Ramazanit, periudhës së shenjtë gjatë së cilës myslimanët e devotshëm anembanë botës kanë agjëruar duke sakrifikuar dhe duke u përpjekur të ripërtërijnë vlerat më të mira shpirtërore dhe njerëzore.

Sot kemi rastin fatlum e të hareshëm për të festuar ditën kur myslimanët i gëzohen dhe shijojnë mundësisë që ta kalojnë atë së bashku me familjarët dhe njerëzit e tyre të dashur, por jo vetëm me ta.

Njëkohësisht kemi edhe detyrimin fetar dhe shpirtëror që t’u qëndrojmë pranë e të ndihim më të pafatët, më të vobektët, më të pafuqishmit e më të vetmuarit në mënyrë që të gjithë ne, duke bashkuar lutjet, besimin e palëkundur tek i Plotfuqishmi dhe tek vlerat më të mira njerëzore, të përpiqemi kush më shumë e kush më pak, për ta bërë botën në të cilën jetojmë, më të mirë e më të paqtë, më të begatë e më të bukur, edhe për fëmijët tanë si dhe brezat e ardhshëm.

Kështu që pas muajit të agjërimit e të sakrificës suaj, të paqtimit e dashurisë pa interes për njëri- tjetrin si dhe duke pasur parasysh njërin prej virtyteve më të vyera të popullit shqiptar: bashkëjetesën dhe harmoninë fetare, dëshiroj me gjithë zemër duke ju uruar edhe njëherë ju, besimtarëve myslimanë si dhe të gjithë shqiptarëve, sa më shumë urtësi, harmoni, shëndet, mbarësi dhe mirësi!”, shprehet Presidenti Nishani në mesazhin e tij dërguar besimtarëve myslimanë shqiptarë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: