BALLSH- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani vlerësoi gjatë një ceremonie të zhvilluar sot në Teatrin antik të “Bylis”, Rrapo Hekalin (pas vdekjes) me Dekoratën “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi dhe nderimi të merituar për atdhedashurinë e rrallë, shpirtin e pamposhtur luftarak, luftën e përpjekjet e tij të paepura liridashëse kundër zgjedhës dhe pushtimit osman”.

Në fjalën e tij Presidenti Nishani e ka vlerësuar si kryetrimin mallakastriot Rrapo Hekalin dhe një nga figurat më të mbresëlënëse të rilindjes. “Jemi mbledhur për të përkujtuar dhe nderuar njërin prej figurave më mbresëlënëse të rilindjes shqiptare: Kryetrimin mallakastriot Rrapo Hekali, birin e lavdishëm të Hekalit, por edhe njërin nga kapedanët më të shquar në historinë e shekullit XIX të Shqipërisë. Rrapo Hekali me karakterin burrëror, me shpirtin e fuqishëm e të pamposhtur atdhetar, me mbrojtjen e vegjëlisë nga shtypja e mjerimi, me urrejtjen e pashterur kundër pushtuesve turq dhe sunduesve feudalë të vendit, ka hyrë dhe është gdhendur përjetësisht në kujtesën dhe ndërgjegjen e brezave shqiptarë si një legjendë e papërsëritshme dhe si një hero nga ata, të cilët nëna i lind veç njëherë në shekull apo edhe më rrallë”, ka thënë Nishani.

Dekorata iu dorëzua familjarit të heroit Rrapo Hamiti gjatë ceremonisë ku të pranishëm ishin edhe deputetë të zonës, Prefekti i Fierit, Xhevit Bushi, Kryetari i Qarkut, Vangjel Ndreka, Kreu i komunës Hekal, Eqerem Beqiraj, kryetarë komunash fqinje si dhe  qytetarë të zonës. Një program artistik me këngë e valle të zonës nga grupi polifonik “Gjergj Aranitasi” i Mallakastrës mbylli ceremoninë e dekorimit.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb