TIRANË

Maxhoranca deklaron se qëndrimi i Presidentit të Republikës Ilir Meta do të merret parasysh për vlerësimin përfundimtar të Komisionit parlamentar hetimor për shkarkimin e tij.

Pas përgjigjes negative të Presidentit për të marrë pjesë në seancë dëgjimore në komision, sekretarja, deputetja e PS Klotilda Bushka deklaroi se komisioni vepron në bazë të veprimit të seancës së Kuvendit për ngritjen e tij dhe se legjitimitetin e Kuvendit e ka njohur dhe Komisioni i Venecias.

“Mungon vullneti i Presidentit për të marrë pjesë në këtë komision sepse nuk e njeh dhe e konsideron këtë procedurë fiktive dhe që po keqpërdoret nga ana e maxhorancës. Pra fajtori është prapë Kuvendi dhe komisioni hetimor që po vepron në përputhje me Kushtetutën, po zbaton detyrat nga sovrani, Kuvendi, për një çështje që është e një rëndësie edhe më të madhe, sepse flitet për arsyet e shkarkimit të kërkuar. Del qartë se në shkresë në kemi vullnetin e qartë të Presidentit për të mos marrë pjesë dhe për të mos u bindur këtij detyrimi.
Mendoj që nuk është e nevojshme të vijojmë me hapat e tjerë. Sepse sipas kodit çdo lloj qëndrimi i personit do të mbahet në konsideratë në vlerësimin e hetimit dhe vlerësimin përfundimtar që do i bëhet. Të gjitha këto akte do merren në konsideratë. Kjo është përgjigjja e asaj që ju kërkuat. Në komisionin e mëparshëm Presidenti ka marrë pjesë. Pra i njëjti Kuvend.
Ne veprojmë në bazë të veprimit të seancës së Kuvendit për ngritjen e komisionit. Jemi legjitimë. Të gjitha pretendimet për mosnjohjen e legjitimitetit të Kuvendit janë të ezauruara. Për sa kohë Komisioni i Venecias në opinionin për ndryshimin e Kushtetutës, për sistemin zgjedhor e ka thënë e zeza mbi të bardhë që Parlamenti është legjitim. Për ne rëndësi ka të garantohen të drejtat e palëve në këtë proces, ne i kemi ezauruar”, deklaroi Bushka.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb