Presidenti amerikan Barack Obama thotë se është krenar që është presidenti i parë amerikan që viziton Etiopinë dhe se udhëtimi i tij nënvizon rëndësinë që ka për Shtetet e Bashkuara Etiopia dhe e gjithë Afrika.

Presidenti Obama foli në Addis Ababa në një konferencë të përbashkët për shtyp me Kryeministrin etiopian Hailemariam Desalegn pas bisedimeve të sotme, që u përqendruan tek zhvillimi ekonomik, demokratizimi i Etiopisë dhe lufta kundër terrorizmit, si edhe tek Sudani Jugor dhe Somalia.

“Bashkëpunimi ynë në fushën e sigurisë po i bën ballë ekstremizmit të dhunshëm. Etiopia përballet me kërcënime serioze dhe kontributi i saj në misionin e Bashkimit Afrikan në Somali, ka pakësuar territorin nën kontrollin e al-Shababit, por sulmi i djeshëm me bombë në Mogadishu na kujton se grupe terroriste si al-Shababi ofrojnë vetëm vdekje dhe shkatërrim dhe duhet të frenohen. Kemi ende punë për të bërë”, tha Obama.

Presidenti i SHBA i referohej sulmit me bombë në Hotelin Jazeera në Mogadishu që shkaktoi vdekjen e të paktën 13 personave, që u dënua ashpër nga Shtëpia e Bardhë.

Shtetet e Bashkuara e shohin Etiopinë si një aleate të rëndësishme në luftën kundër al-Shababit dhe në kontributin për të stabilizuar Somalinë. Shtëpia e Bardhë deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të japin të paktën 40 milionë dollarë ndihmë për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm në Afrikën Lindore përveç 465 milionë dollarëve të propozuar për stërvitje, paisje, krijimit të kapaciteteve dhe nismat kundër ekstremizmit të dhunshëm në gjithë Afrikën.

Përpjekjet kundër ekstremizmit ishin në qendër të bisedimeve të udhëheqësit amerikan me Presidentin Uhuru Kenyatta të Kenias në Nairobi.

Zoti Kenyatta merr sot pjesë në një takim të Presidentit Obama dhe udhëheqësve nga Bashkimi Evropian, Uganda dhe Sudani po sot lidhur me krizën në Sudanin Jugor.

Vizita e zotit Obama në Etiopi ka shkaktuar kritika nga aktivistët e të drejtave të njeriut që thonë se regjimi shtypës i kryeministrit Desalegn ka marrë masa kundër gazetarëve, disidentëve dhe anëtarëve të opozitës gjatë operacioneve kundër terrorizmit.

Zoti Desalegn tha në konferencën e përbashkët për shtyp se Etiopia është e angazhuar të përmirësojë të dejtat e njeriut dhe qeverisjen dhe se “përkushtimi ynë ndaj demokracisë është real dhe jo sipërfaqësor”.

Para vizitës në Etiopi, zoti Obama qëndroi për dy ditë në vendlindjen e babait të tij, Kenia ku u prit si një bir i atij vendi.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: