Pas dështimit të raundit të dytë, Konferenca e Kryetarëve vendosi sot që raundi i tretë për votimin e kandidaturave për presidentin e ri të mbahet më 30 maj. Konferenca vendosi që afati i fundit për depozitimin e kandidaturave të jetë në datën 29 maj, (e diel) në orën 16:00.

Ishte pikërisht kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ai që propozuar që data 30 maj të jetë raundi i tretë për zgjedhjen e Presidentit.

“Raundi i radhës, 30 maj ora 10:00. Shpresoj të kemi votim dhe zgjedhjen e presidentit”, tha Balla. Ky propozim u miratua nga kryetarja e Konferencës, Lindita Nikolli.

Edhe në raundin e tretë, sipas marrëveshjes opozita ka të drejtë të propozojë kandidatin për President, por sikundër ka paralajmëruar edhe kreu i grupit Parlamentar i PS, Taulant Balla, nëse edhe ky raund do të digjet, atëherë do të jetë maxhoranca që do të zgjedhë kreun e ri të shtetit.

Megjithëse java nisi me një pakt mes maxhorancë dhe opozitës që i jepte kësaj të fundit të drejtën që të propozojë kandidatë në raundin e dytë dhe të tretë, konsensusi zgjati më pak se 48 orë.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb